Haradinaj: Me krenari kujtojmë trashëgiminë e jashtëzakonshme të Shën Terezës

Haradinaj: Me krenari kujtojmë trashëgiminë e jashtëzakonshme të Shën Terezës

Kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar Shën Terezën në 109 vjetorin e lindjes së saj.

Haradinaj ka thënë se nobelistja e parë shqiptare, Shën Tereza, i dha botës shembullin më unik dhe të papërseritshëm të humanizmit.

“Nobelistja e parë shqiptare, Shën Tereza, me mrekullitë e saj, i dha botës shembullin më unik dhe të papërseritshëm të humanizmit. Ajo e shndërroi në kult mesazhin e përkushtimit të nënave shqiptare, duke e universalizuar në përmasa botërore. Sot, në 109 vjetorin e lindjes, me krenari kujtojmë trashëgiminë e jashtëzakonshme të Shën Terezës, që në mënyrë të mahnitshme mishëroi idenë e shërbimit për paqe, duke i dhënë emër dhe vlerë popullit të saj. Të lartësuara qofshin përjetë emri dhe vepra e saj!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndryshe, Katedralja ‘Shën Nënë Tereza’ në Prishtinë, organizon akademi për të shënuar 40- vjetorin e Shpërblimit Nobel për Paqe të Nënë Terezës, në ditën e lindjes së saj, më 26 gusht.

Ky aktivitet shënon edhe fillimin e ditëve të Shën Nënë Terezës që do të zgjasin deri më 5 shtator, kur kremtohet ditëfesta liturgjike e Shenjtëreshës në Katedralen e Prishtinës./21Media