Haradinaj shkon në KEK, u kërkon kujdes gjatë dimrit

Paralajmërohet riaktivizimi i dy blloqeve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot ka vizituar KEK-un, me ç’rast ka thënë se këtë vizitë e ka bërë për të parë si është puna me blloqet, sa janë në funksion, si është dinamika e lëshimit në prodhim të blloqeve të tjera.

“U njoftova se edhe në A pritet të lëshohet një bllok, pra së shpejti mendohet të hënën. Edhe për B pritet të lëshohet blloku tjetër pra në prodhim. Aktualisht si e pamë janë rreth 530 megavat në prodhim, pra për konsumator. Kjo i bije që po ashtu rreth 400 të tjerë duhet me i sigurua nga importi, që mbi 900 është konsumimi. Tash importi i ka dy të këqija, e keqja është se është import pra nuk është mall që është prodhuar në Kosovë dhe e prish bilancin tregtar dhe shkakton pasoja për ne si Kosovë. Por edhe tani në dimër importi i energjisë është shumë i shtrenjtë. Të luftohet për çdo megavat të vendit, premtimi është se ditëve që do të vijnë do të jetë mbi 800, prej 15 dhjetor do të futet në sistem edhe blloku B1. Kam kërkuar që të bëhet kujdes gjatë këtij dimri pra të mbijetojmë prodhimin, të shtimë në treg sa më shumë megavat”, u shpreh Haradinaj.

Drejtori i KEK-ut, Nijazi Thaçi ka thënë se ka njoftuar Haradinajn lidhur me aktivitetet që janë duke i bërë me prodhimin aktual.

Thaçi po ashtu ka njoftuar kryeministrin me problemet dhe planifikimet e bërë që ky dimër të kalohet sa më lehtë.

Back to top button