Haradinaj flet edhe për deklaratat e Kosnettit dhe protestën e VV-së

Haradinaj flet edhe për deklaratat e Kosnettit dhe protestën e VV-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ripërsëritur se takimi i Berlinit (më 29 prill) është takim multilateral dhe se nuk do të ketë ndonjë ndryshim të qëndrimeve. I pari i Qeverisë ka deklaruar se qëndrimet e Qeverisë janë të Kosovës.

“Samiti i Berlinit është një takim multilateral, mendoj që qëndrimet që i ka mbajtur qeveria e Kosovës në vazhdimësi janë të Kosovës. Kam shpresë po ashtu se nuk do të kemi shpërputhje por nuk ka ndonjë ndryshim në ato qëndrime. Do të kemi kohë të bisedojmë me presidentin para ngjarjes dhe të harmonizohemi, por nuk kam qëndrime të tjera”, ka deklaruar Haradinaj.

Kreu i Qeverisë ka mirëpritur deklaratat e ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, i cili dje ka porositur qytetarët që të ngrisin zërin ndaj zyrtarëve që pasurohen në kurriz të buxhetit të shtetit. Sipas Haradinajt, këto deklarata janë pozitive dhe ndihmesë për Kosovën. Megjithatë, Haradinaj ka vlerësuar se ekziston dallimi kur reagimet janë të partive politike, duke vënë theksin te protesta e sotme e VV-së para zyrës së kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi.

“Ekziston një rrezik kur një parti politike proteston kundër një prokurori. Kjo mund të kalojë në dimensione tjera, gati ndërhyrje ose presion në gjyqësor. Unë i kam bërë thirrje dje Lëvizjes Vetëvendosje që janë parti parlamentare dhe që duhet t’i shterojnë mjetet e tjera për të kundërshtuar Prokurorinë e Shtetit”, ka thënë Haradinaj.

I pari i ekzekutivit ka ripërsëritur se duhet të shteren të gjitha rrugët institucionale, para protestave.

Lëvizja Vetëvendosje sot proteston para zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, duke filluar nga ora 11:55. Me moton “Protestojmë te Kryeprokurori i Shtetit” mbahet protesta e paralajmëruar kohë më parë./21Media