2019-tën kryeministri Haradinaj e ka shpallur vit të ekonomisë

2019-tën kryeministri Haradinaj e ka shpallur vit të ekonomisë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në vazhdën e takimeve që ka pasur gjatë ditës sotme me bizneset e Gjilanit ka përmbyllur vizitën te fabrika e përpunimit të mishit “Calabria”.

Ai me këtë rast i ka dhënë mbështetje kësaj kompanie për t’i krijuar lehtësira për të plasuar produktet në tregun e Kosovës.

Kreu i qeverisë ka dhënë fjalë të mira për kompaninë “Calabria” dhe sipas tij gjitha produktet e saj janë të një kualiteti të garantuar dhe janë më të mira se ato që importohen.

“Ajo që është me rëndësi të theksojmë pra, bëhet fjalë edhe këtu për fat të mirë po mundemi me konfirmuar për një teknologji të avancuar. Kjo fabrikë dikur ka pasur traditë, tash është ruajtur dhe dora dikur zëri i mirë që kanë pasur njerëzit që kanë punuar, por dhe teknologjia e re edhe ekspertizë të re, teknologët që kanë kryer shkolla jashtë dhe mundemi me thanë që produktet e kësaj kompanie janë të besueshme janë të mira. Më vjen mirë po ashtu që në treg dalin pak më lirë se sa ato të huajat dhe po dua me thanë që për nga kualiteti janë shumë më të mira se sa ato që importohen”, ka thënë Haradinaj.

Ndërsa, shefi i kësaj kompanie, Xhelal Selimi ka kërkuar nga të gjitha organet ekzekutive, që vendimi i kryeministrit të zbatohet për lirim nga dogana për disa produkte.

“Kërkoj përgjegjësi prej organeve ekzekutive që vendimin e kryeministrit të zbatojë për lirim nga dogana, kjo kish me qenë kërkesa ime e vetme”, ka thënë Selimi.

Ndryshe, 2019-tën kryeministri Haradinaj e ka shpallur vit të ekonomisë dhe për këtë arsye ai vazhdimisht viziton kompanitë vendore.