Shënohet 5-vjetori i pranimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar

Shënohet 5-vjetori i pranimit të KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës me rastin e shënimit të 5-vjetorit të pranimit në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Duke përgëzuar për këtë ceremoni, kryeministri në detyrë Haradinaj, tha se kjo është një storie e suksesit që na bën të mburremi kudo që jemi dhe se Kosova është e nderuar për faktin se është anëtare e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe njëkohësisht kjo është mundësi, perspektivë dhe botë e re për sportistët tanë.

 “Sporti në vitet e fundit është ambasadori më i mirë i Kosovës dhe për këtë tani nuk ka dilemë, të gjithë pajtohemi. Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me gjithë komunitetin sportiv në Kosovë është duke e bërë një punë të mrekullueshme për sensibilizimin e opinionit për t’u marrë me sport. E vërtetë është se kemi ende shumë punë, nuk duhet të vetëkënaqemi sepse shifrat flasin se duhet të bëjmë më shumë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Para shumë sportistëve dhe zyrtarë të federatave dhe institucioneve të sportit të Kosovës, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se numri prej rreth 19 mijë personave aktiv në sport nuk është i kënaqshëm, në proporcion me numrin e popullësisë që kemi, derisa ka bërë një krahasim me shtetin fqinj Slloveninë që i ka rreth 70 mijë persona aktiv në sport, ndërsa numrin e popullsisë e ka të përafërt me Kosovën.

“Kosova ka rini më shumë sesa Sllovenia, e ne duhet që më së paku ta kemi Slloveninë si rol, si model dhe duke pasur parasysh se vetëm 5 vjet e kemi rrugëtimin tonë, jam i bindur se do ta arrijmë. Jam po ashtu i lumtur që gjatë qeverisjes time kemi arritur ta zbatojmë Ligjin për sponsorizim dhe kjo është e arritura më e madhe në Kosovë për sportin, për shkak se tash edhe klubet, federatat, sportistët, por edhe kompanitë kanë filluar ta zbatojnë”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke kërkuar nga sipërmarrësit e Kosovës që të mos kursejnë për sportin, dhe ashtu sikur Majlinda dhe sportsitet tjera na bëjnë krenarë, edhe sipërmarrësit tonë na bëjnë krenarë kur përkrahin sportin.

Kryeministri në detyrë tha po ashtu se ky ligj mund t’i sjellë sportit 10-20 milionë euro të hyra shtesë, e po ashtu tha se është me rëndësi që të rritet buxheti për Komitetin Olimpik, për federatat, gjë të cilën e ka bërë kjo Qeveri.

Po ashtu, ai falënderoi të gjithë ata që na pranuan në këtë familje, duke thënë se Kosova kërkon t’i takojë familjes evropiane, euroatlantike.

“Qytetarët e Kosovës ende janë të izoluar, nuk e kanë liberalizimin e vizave, por shpresoj që ta shohim një ditë si kjo, të udhëtojmë lirshëm, ngase sportistët janë të penguar dhe kanë problem të udhëtojnë dhe të marrin pjesë në gara pikërisht për shkak të vizave”, tha Haradinaj.

Besim Hasani, president i Komitetit Olimpik të Kosovës, tha se pranimi i KOK-ut në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar me të drejta të plota hapi rrugën për të gjitha federatat kombëtare që të njihen nga federatat përkatëse ndërkombëtare, e po ashtu ky pranim mundësoi pjesëmarrjen e sportistëve të Kosovës në kampionate evropiane e botërore, duke përmendur këtu pjesëmarrjen e parë të sportistëve të Kosovës në Lojërat Olimpike Rio 2016.   ​