Haradinaj: Taksa 100% në fuqi deri më 2022 nëse nuk na njeh Serbia

Haradinaj ka thënë se pezullimi i taksës mund të ndodhë vetëm me njohjen e Kosovës nga Serbia

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk ka hequr dorë nga taksa 100 për qind ndaj produkteve të Serbinë as pas reagimit të SHBA-së për heqjen e saj, duke thënë se taksa do të qëndrojë deri në vitin 2022, kur përfundon mandati i tij si kryeministër.

Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Haradinaj ka pranuar se ka marrë një letër nga ambasadori i SHBA-së, Philip Kosnett për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë.

Ai ka arsyetuar këtë kërkesë duke thënë se SHBA në këtë mënyrë synon hapjen e dialogut, por ka përsëritur se pezullimi i taksës mund të ndodhë vetëm me njohjen e Kosovës nga Serbia.

“Ambasadori ka shprehur qëndrimin e Qeverisë amerikane për kërkesën për pezullim të taksës në mënyrë për t’i hapur rrugë dialogut. Është kërkesë zyrtare e tyre. Nëse shkruhet një marrëveshje, një kontratë gjithëpërfshirëse, e duhet aty për ta vendosur firmën, ia japim mundësinë e pezullojmë për aq ditë sa zgjat ajo mundësia me u nënshkruar, me automatizëm hyn në fuqi nëse nuk nënshkruhet. Pra, nuk është qëllimi me taksë për ta bllokuar nënshkrimin e marrëveshjes për njohje. Por, pa njohje nuk vlen. Serbia mendon të shkojë deri në 22-ën me një zvarritje të proceseve, atëherë e ka momentin e aplikimit për BE, edhe ne do ta mbajmë taksën deri në 2022. Pra, nëse s’ka marrëveshje për njohjen, taksa rrinë”, ka thënë Haradinaj.

Ai ndërkaq ka mohuar mundësinë që marrëveshja gjithëpërfshirëse me Serbinë mund të pranohet nga SHBA edhe nëse përmban korrigjim të kufijve.

“Ne kemi komunikim direkt me administratën e presidentit Trump. Nuk kanë orientim të ndërrimit të kufijve apo territoreve. Por na kanë thënë që mos u bëni paranoik prej frikës që u fol kjo temë te Mogherini, e të bllokohen edhe opsionet pozitive. Tash, kur thash se unë kam dashuri pa kushte për Amerikën, unë kam si Kosovë e 17 shkurtit. Ne e kemi shpallur veten shtet, e kemi një Kushtetutë, është Kosova e 17 shkurtit. Unë nuk mundem me e heq 17 shkurtin, territorin, kufijtë. Pra, nuk ka logjikë me dal nga vetja dhe me ta kërkuar dikush këtë”, u shpreh ai.

Njëherësh, kreu i Ekzekutivit ka mohuar se SHBA mund të marrë masa kundër përkrahjes për Ushtrinë e Kosovës.

Ai ka treguar nëse do të marrë pjesë në lutjet e mëngjesit në Amerikë.

“Ftesë kam marrë për Lutje të Mëngjesit, edhe qejf kam me shkuar. I vendosur s’kam qenë ende a do të shkoj. Me klimën për taksën po më duket se nuk shkoj këtë herë. Pra, duhet pritur të shkoj më vonë”, ka thënë ai.

Ai ka komentuar edhe deklaratat e fundit të LDK-së në adresë të Qeverisë të Kosovës, duke thënë se për ta pranuar LDK në qeverinë e tij, do të duhej të konsultohej me bashkëpunëtorët në koalicion.

Ai përsëriti se është me rëndësi që LDK dhe Vetëvendosje të marrin pjesë në procesin e dialogut me Serbinë.

“Është pak e habitshme mosardhja në tavolinë. Nëse, ta zëmë, LDK është kundër korrigjimit të kufijve, si z. Haziri që është duke dalë pak si kundër si zakonisht, dhe është bë LDK me fol me dy zëra. Atëherë sikur ata të kishin ardhur në tavolinë, ishin forcuar ata që ishin kundër korrigjimit”, ka thënë Haradinaj.

Kosova vendosi masën 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës më 21 nëntor, ndërsa më 28 dhjetor të vitit 2018 kjo taksë hyri në fuqi edhe për brendet ndërkombëtare që importohen nga këto dy shtete./21Media

Back to top button