Haradinaj: Taksa nuk e pengon marrëveshjen përfundimtare me Serbinë

Kryeministri Ramush Haradinaj ka takuar sot familjet e dëshmorëve të Komunës së Deçanit

Me këtë rast ai ka ritheksuar se taksa ndaj mallrave me origjinë serbe nuk do të hiqet deri në njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar.

Kreu i qeverisë theksoi se taksa nuk e pengon marrëveshjen përfundimtare, por do të përshpejtojë arritjen e saj.

Sipas Haradinajt, kushdo që e cenon Kosovën e 17 shkurtit është armik i kombit.

“Nëse e hapim këtë Kosovë, ne i hapim varret e atyre qe kemi ardhur sot, e hapim rrugën që kemi kaluar nëpër bjeshkë. Kushdo që e hap dhe cenon Kosovën e 17 shkurtit është armik për ne. Ai që hap kufirin nuk është mik për Kosovën”, tha ai.

Çështja e hapjes së ndryshimit të kufijve të Kosovës, sipas tij i shkon për shtati më shumë kreut të shtetit rus Vladimir Putin.

Ndërsa, përfaqësuesi i OVL të UÇK-së në Dukagjin, Avdyl Mushkolaj, potencoi se Kosova asnjëherë nuk ka qenë më të fortë se sot, pasi siç konsideron ai, kryeministër është një person që po i prin proceseve. Vendosja e taksës nga Haradinaj dhe këmbëngulja për taksën sipas tij po e bën krenar gjithë Deçanin.

Back to top button