Haradinaj: Të përkrahim rritjen e kompanive të Kosovës

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ka vizituar kompaninë e derivateve “ HIB Petrol”, që është ndër tatimpaguesit më të mëdhenj në vend

Haradinaj  tha se Qeveria nacionale, komunale dhe të gjithë akterët, duhet të përkrahin rritjen e kompanive në Kosovë.

“Është shumë me rëndësi si kompani. Ka një mijë të punësuar dhe pritet me i pas dhe 200 vende të reja të punës. E ka pagën mesatare, bukur korrekt në vend. Përfshi dhe shpenzimet e transportit, ushqim e kujdes tjetër për të punësuarit. Njëkohësisht është diçka e jashtëzakonshme,  pra e ka 80 milion e 400 mijë euro në buxhet të Kosovës taksë . Duke qenë kështu mendoj që është shumë me rëndësi që Qeveria nacionale, në këtë rast ne, qeveria komunale dhe të gjithë akteret tjerë në vend, të përkrahim rritjen e këtyre kompanive të Kosovës. Sepse çka do të ndodh për publikun. Do të kemi ende vende të punës. Do të ketë shumë më shumë partneritet ekonomik me të gjitha kompanitë që bashkëveprojnë me këtë kompani. Pra rritje e qarkullimit dhe për ta dhe njëkohësisht do të kemi shumë më shumë të hyra në buxhet, që është diçka e mirë“, tha ai.

Ndërsa pronari i “HIB Petrol”, Ibrahim Bucaliu tha se për ta është ditë e veçantë dhe se vizita e kryeministrit ka nderuar këtë kompani. Ai tha se kompania, pronar i së cilës është ai, i ka paguar buxhetit të Kosovës,  taksa në vlerë prej 80 milion euro. Ndërsa tha se kjo vizitë u jep atyre kurajo për të vazhduar më tutje.

“Normal që gjithmonë ka sfida, por me punë dhe të iu falenderu bashkëpunimit, punëtorët që i kemi i tejkalojmë. Pengesa nuk kemi. Normal që në punë ka gjithmonë, se nuk është e lehtë me i pas 1 mijë të punësuar. Përndryshe probleme të mëdha nuk kemi. Edhe tash edhe më herët. Kryeministri, ardhja e tij e ka thy një tabu që në Kosovë mendohet se kur flitet për derivatet mendohet në kontrabandë. Vet pagesa e këtyre taksave dhe ardhja e kryeministrit e thyen një tabu të tillë”, tha ai.

Back to top button