''Falë intervenimit dhe prezencës së NATO-s vendi ynë jeton i lirë dhe në paqe''

”Falë intervenimit dhe prezencës së NATO-s vendi ynë jeton i lirë dhe në paqe”

“Kosova është një vend i vogël dhe është me fat që ka këtë lidhje speciale me NATO” kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pasi priti në takim ndihmës-asistentin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, me të cilin bisedoi për rolin e Kosovës në krijimin e sigurisë rajonale dhe bashkëpunimin e ndërsjellë që ka me të gjitha shtetet veç e veç.

Kryeministri Haradinaj falënderoi NATO-n për rolin e saj të pazëvendësueshëm në Kosovë.

“Falë intervenimit dhe prezencës së NATO-s vendi ynë jeton i lirë dhe në paqe. Kosova është e vendosur që ky mision ta vazhdojë prezencën në vend dhe që kjo prezencë të jetë e përhershme” tha Haradinaj, duke shprehur dëshirën e Kosovës që të jetë pjesë e NATOS-s, për të dhënë kontributin tonë për paqen në botë.

“Republika e Kosovës është përcaktuar me kohë në rrugën e saj euroatlantike dhe për këtë nuk ka alternativë. Prandaj, aspirata e Kosovës për tu bërë pjesë e NATO-s, është përcaktim jo vetëm i institucioneve, por edhe i të gjithë qytetarëve të Republikës sonë”, tha Haradinaj.

Duke falënderuar ndihmës-asistentin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza për kontributin e forcave paqeruajtëse të KFOR-it në Kosovë tha se roli i tyre në krijimin e sigurisë dhe të paqes, si dhe trajnimet e ofruara për forcën tonë të sigurisë janë të domosdoshme edhe më tutje.

Ndërkaq, ndihmës asistenti i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza, tha se NATO edhe më tutje do të vazhdojë të jetë e pranishme për ofrimin e sigurisë dhe të paqes në vend.

Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj e informoi z.Manza-n për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si një forcë profesionale dhe multietnike, në të cilën janë të përfshira të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.