Haradinaj: Sfidave aktuale duhet t'u gjejmë zgjidhje

Haradinaj: Sfidave aktuale duhet t’u gjejmë zgjidhje

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në takimin e 15-të të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, në të cilin theksoi përkushtimin e Qeverisë në hartimin e politikave për integrim në tregun rajonal të energjisë elektrike.

Me këtë rast kryeministri tha se janë të angazhuar maksimalisht në përafrim të legjislacionit me direktivat e BE-së dhe për zbatimin në praktikë, duke kërkuar për këtë edhe mbështetjen e Komisionit Evropian.

Haradinaj në këtë takim njoftoi të pranishmit edhe për arritjen e Marrëveshjes për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”, për të cilin tha se vlera e këtij investimi është 1 miliard e 300 milionë euro, dhe me këtë do të sigurohet një situatë e qëndrueshme energjetike në Kosovë dhe avancim në krijimin e një energjie të pastër, sepse teknologjia e tanishme që përdoret është e vjetër dhe nuk është miqësore me ambientin.

“Agjenda e Kosovës për implementimin e MSA-së është e harmonizuar edhe me agjendën e Komunitetit të Energjisë për sektorin e energjisë dhe siç e kam shprehur edhe në takimet në Bruksel, një nga prioritet kryesore të Qeverise që unë drejtoj është zbatimi në kohë i obligimeve që dalin nga kjo marrëveshje.

Sfidave aktuale me të cilat ballafaqohet Kosova, duke qenë e kufizuar në menaxhimin  e rrjedhave të energjisë në tregun rajonal dhe mos funksionalizimit të linjës 400 kV Kosovë- Shqipëri, duhet t’i gjejmë zgjidhje, me kontributin e të gjithë neve së bashku, dhe besoj se për këtë do ta marrim përkrahjen e të gjithëve.

Suksesi i formimit të tregut të energjisë është parakusht dhe garancë për integrimin edhe të tregjeve tjera në kuadër të “Procesit të Berlinit”.

Sigurisht që për të arritur deri aty na duhet një vullnet edhe më i madh dhe duhet po ashtu që të gjithë të kemi qëllim përfitimet e përbashkëta që sjell tregu i përbashkët, si dhe eliminimin e të gjitha barrierave qe janë vendosur ose mund të vendosen në proces”, tha Haradinaj./21Media