Haradinaj ripotencoi se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizm

Haradinaj ripotencoi se Kosova i ka përmbushur kriteret për liberalizm

Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, me të cilin ka diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit.

Shefi i ekzekutivit kosovar deklaroi se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, ka shënuar progres të konsiderueshëm në fushën e sigurisë, rendit dhe ligjit dhe është e përkushtuar që të avancojë me raportet bilaterale me Gjermaninë dhe është gjithmonë e gatshme për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje.

“Kisha kënaqësi të ndaj me ambasadorin Heldt statistikat e fundit reale të migrimit, ku Kosova tregon qartë se nuk përbën rrezik të migrimit, duke shënuar trendin më të vogël ndër vite me vetëm 723 raste të kërkesave për migrim në vitin 2018”, deklaroi Haradinaj.

Ai tha se krahasuar me vitin 2015, ku shifrat e migrimit tregonin për 67.545 persona që kanë migruar, viti 2018 me vetëm 723 raste, tregon qartë një rënie prej 98%, rezultat ky që dëshmon përkushtimin e qytetarëve të Kosovës, për të respektuar së pari, shtetin e Kosovës dhe gjithashtu për të respektuar parimet bazë të lëvizjes së lirë.