Sipas Haradinajt, reciprociteti është ide e mirë

Sipas Haradinajt, reciprociteti është ide e mirë

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së Qeverisë u shpreh falënderues ndaj vizitës së të dërguarit të Amerikës për Ballkanin, Matthew Palmer në Kosovë, mirëpo i pyetur se pse nuk është deklaruar rreth vizitës së tij dhe a ka pasur Palmer ndonjë kërkesë nga ta, Haradinaj deklaroi se është vazhdim i agjendës bilaterale.

“E falenderoj Palmer për takimet. Është komunikim i vazhdueshëm. Nuk kam bërë ndonjë postim se eshtë komunikim i vazhdueshëm. Nuk ka ndryshime në komunikim, është ajo dinamika e komunikimit të ndërsjelltë, bilateral. Në detaje nuk e kam vlerësuar”, tha ai. Ndërsa i pyetur se a ka pasur ndonjë kërkesë, tha se është i njejti komunikim.

Haradinaj foli edhe rreth taksës, për atë se sa ka përfituar Kosova qoftë në aspektin politik apo ekonomik.

“Analiza është prezente në vazhdimësi, një vakuum prej produkteve serbe e mbulon prodhimi vendor. Politikisht nuk është vetëm taksa por qendrimet qe i kemi mbajt e kanë konsoliduar Kosovën dhe e kanë bërë të pavarur nga tavolina e zonjës Mogherini.”, deklaroi Haradinaj.

Kurse rreth pretendimeve të Qeverisë së re LDK-VV, që po thonë se do të shkojnë me masën e reciprocitetit, kryeministri në detyrë tha se reciprociteti është ide e mirë, por taksa duhet të mbetet.

“E pelqej idenë e reciprocitetit, por nuk duhet të ketë ndikim në taksë, taksa të mbetet, nuk e kuptoj pse duhet me heq taksën. Është gabim me heq taksën, pa e marrë njohjen, kushdo qe shkon asaj rruge, gabon shumë”, tha ai.

Ndërsa i pyetur asaj se a do të ketë arrestime nga Gjykata Speciale këtë muaj, Haradinaj tha se nuk ka informata dhe se duhet me i pyet ata që e kanë votuar Specialen. Kurse, për mjetet që janë ndarë për disa të ftuar nga Specialja, diku rreth 70 mijë euro, pse janë ndarë këto para.

“S’kam koment për mënyrën si janë ndarë dhe si janë kualifikuar këto shpenzime. E di se Kosova ka marrë obligim me i përkrah te gjithë ata qe janë palë e gjykatës, vendimi është i deputetëve që e kanë votuar Gjykatën, ligjin, ekzekutivi i obligohet. Duhet ta pyesni një dikaster më të obliguar”, deklaroi ai dhe shtoi se është vendim i Qeverisë.

Në fund shprehu respektin për familjen e aktivistit të ndjerë të VV-së, Astrit Dehari./21Media