Haradinaj tregoi si u shpenzua fondi rezervë

Sipas Haradinajt, çdo përcaktim është bërë sipas ligjit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas shkrimeve për shpenzimin e tërë fondit rezervë, sot u shpreh se nga ky fond, janë ndarë mjete për t’i ndihmuar fermerët nga vërshimet, për t’i paguar orët shtesë të zjarrëfikësve dhe situata të ngjashme, ku është dashur vendim i shpejtë dhe gjithmonë me miratimin e Qeverisë.

Sipas tij, këtë vit, ky fond është shpenzuar pasi që është bërë ndarja e mjeteve për Shqipërinë, pas tërmetit me pasoja tragjike.

“Fondi rezervë i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është fond i cili mbulon shpenzimet që nuk kanë linjë buxhetore dhe të cilat nuk janë paraparë fillimisht në buxhetin vjetor financiar. Rëndom, në këtë kategori, për një vit financiar ndahen rreth 5 milionë euro, derisa varësisht nga vijueshmëria dhe nevoja, ky fond rimbursohet, pas alokimeve buxhetore, të inicuara nga Ministria e Financave dhe të aprovuara nga Qeveria. Pothuajse në çdo vit, përfshirë këtu edhe vitet kur kanë qeverisur të tjerët, shuma totale e ndarjes qoftë fillestare, qoftë e mëvonshme, kalon mbi 7 milionë euro. Nga ky fond, janë ndarë mjete për t’i ndihmuar fermerët nga vërshimet, për t’i paguar orët shtesë të zjarrëfikësve dhe situata të ngjashme, ku është dashur vendim i shpejtë dhe gjithmonë me miratimin e Qeverisë. Këtë vit, ky fond është shpenzuar pasi që është bërë ndarja e mjeteve për Shqipërinë, pas tërmetit me pasoja tra gjike. Arsyeshmërinë, procedurat konform ligjeve të vendit dhe vendimet, i bënë gjithmonë Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës. Çdo alokim dhe përcaktim është bërë me arsyeshmërinë më të lartë, sipas nevojave dhe në përputhje me ligjin”, ka shkruar Haradinaj në facebook.

Back to top button