Arsyeja e moskrijimit të Komisionit për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi ndërlidhet me vizat

Arsyeja e moskrijimit të Komisionit për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi ndërlidhet me vizat

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sqaroi sot se pse edhe pas një viti që është miratuar marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi, nuk është rishikuar vija kufitare.

Ai në emisionin ‘Jeta në Kosovë’ tha se fillimisht duhet të krijohet një komision, por se as kjo ende nuk është bërë.

“Qe dy vjet nga data e ratifikimit në Parlament, ekziston afati për me kriju një komision të përbashkët, ekziston mundësia lehtë me u marrë vesh ku shënohet kufiri, Çakorr e në Kullë. Eshtë opsion, nëse nuk merren vesh prapë vazhdon nëpër instance të tjera, si Arbitrazhi”, tha Haradinaj.

Ai shtoi se arsyeja e moskrijimit të Komisionit për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi ndërlidhet me vizat.

“Nëse e bëj këtë komision tash mund të merret si ndonjë lloj interferimi nëse lind ndonjë mos marrëveshje apo pajtim me Malin e Zi që BE mundet me thonë mos t’ia japim vizat se nuk e kanë kry punën. I kam dy vjet kohë, ditëm me ditë deri në marsin e vitit që vjen mos me bë komisionin, një ditë para se mu bo dy vjet me formu komisionin, me ja dërgu letrat Malit të Zi këta janë anëtarët tonë, ku i ki ti, ruje këtë të drejtë, që kjo është matematika qysh jam t’u punu për këtë temë”, tha Haradinaj në një intervistë për emisionin ‘Jeta në Kosovë’,

Haradinaj shtoi se me ardhjen e tij në Qeveri e ka hequr pengesën për liberalizim të vizave.

“Këta njerëz që thonë se kemi kufirin hala le t’ia kërkojnë Isa Mustafës dhe Hashim Thacit, prapë vizat si kem pas as atëherë, pas ardhjes time e kam heq pengesën e demarkacionit për liberalizim edhe për ato mundet me thënë Fajon që Kosova i ka kry kushtet. E vërtetë që vizat si kem marrë hala, por unë e kam qel rrugën me çliru qytetarin tem dhe të njejtën kohë t’u ardhë liberalizimi që mund të vjen këto muaj”, tha Haradinaj./kallxo