Haradinaj tregon se çfarë diskutoi me Hahn

“Pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së”

Komisionari për Politikë Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata për Zgjerim , Johannes Hahn ka zhvilluar sot takim të mbyllur për media me kryeministrin  e Kosovës Ramush Haradinaj.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se në takim me Komisionerin Hahn ka ritheksuar se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së.

“Në takim me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn, ritheksova se pozicioni i Kosovës është i palëkundur në rrugën e integrimeve drejt BE-së. Në këtë drejtim, kemi shënuar progres në agjendën europiane dhe pas përmbushjes në tërësi të kritereve për liberalizim presim një vendim të shpejtë, që të na njihet e drejta e lëvizjes së lirë”, ka shkruar Haradinaj.

Në këtë takim është biseduar edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë për të cilin kryeministri shprehu qëndrimin e Kosovës për një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme.

Po ashtu në këtë takim është folur edhe për zhvillimin ekonomik në vend dhe hapat që ka ndërmarrë qeveria në përmirësimin e klimës së të bërit biznes dhe tërheqjen e investimeve të huaja direkte.

Ndryshe, Hahn pas vizitës në vendin tonë, në orët e mbrëmjes do të qëndrojë për vizitë në Tiranë ku do të takohet me kryeministrin Edi Rama./21Media

 

Back to top button