Haradinaj Samitin e Berlinit nuk e quan dështim

Haradinaj Samitin e Berlinit nuk e quan dështim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj zhvilloi një intervistë speciale sonte në RTV 21.

Kryeministri Haradinaj tregoi se çka ndodhi konkretisht në Samitin e Berlinit, si dhe e vlerësoi atë si një samit të suksesshëm për vetë faktin që ndërmjetësues të dialogut do të jenë tanimë Berlini dhe Franca.

Kanë pas dy agjenda. Një agjendë ka qenë kjo që e ka përfaqësua përfaqësuesja e lartë, zonja Mogherini. Pra një agjendë e një marrëveshje të mundshme që ka pas të bëjë me territor, me kufinj, e cila realisht ka qenë në rrezik për ndarje të Kosovës edhe kësisoj edhe për largim nga vendimi i GJND-së që është konfirmim i asaj kush jemi. Do të ishte një tragjedi realisht për Kosovën, të cilës e kam kundërshtuar që nga fillimi dhe fatmirësisht së fundmi pra është krijuar një masë kritike në anën tjetër, këtu vlen të theksohet sidomos roli i Gjermanisë dhe i kancelares Merkel, pra dialogu iu është marrë zonjës Mogherini, pikërisht për shkak të kësaj papërgjegjësie që ka lejuar që dialogu që është dashur të përmbyllet me një marrëveshje finale-obligative-ligjore për njohje reciproke, pra ka devijua në diskutime për territor e kufij. E në Ballkan dihet kur përmend kufij e territore që është rrezik për stabilitet”, tha ai.

Haradinaj tha se derisa të mbahen zgjedhjet në Evropë, dialogu do të qëndrojë te kancelarja Merkel dhe presidenti Macron, në mënyrë që të mos i lihet hapësirë Mogherinit për veprim.

Me rëndësi ta konstatojmë se kyçja direkt në çështjen e marrëdhënieve Kosovë-Serbi edhe të dialogut Kosovë-Serbi, pra Bashkimi Evropian në këtë rast ekziston edhe procesi i Berlinit, po kyçja direkt e kancelares Merkel dhe e presidentit Macron e ka hekë pra dialogun prej zonjës Mogherini dhe ne nuk rrezikojmë tani që përmes zonjës Mogherini, pra të ndodh ndonjë devijim i mëtejmë ose të propozohet ndonjë marrëveshje e gabuar, ku ishte ndarje e Kosovës ose diçka e rrezikshme për vetë Kosovën ose rajonin, pra është larguar ky rrezik. Gjermania edhe Franca mund ta mbajnë këtë proces në vazhdimësi ose mund të ja kthejnë të zgjedhurit të ri ose të zgjedhurës së re në pozicionin e Mogherinit, sepse zgjedhjet në Evropë mbahen tash në mes të 25-26 maj, që do të thotë që të ngarkuarit e rinj e marrin detyrën diku pas shtatorit, pra janë edhe tre-katër muaj që duhet të mbahet dialogu te Berlini edhe Parisi, në këtë rast të kanceralja e presidenti Macron, pra që të mos i lihet hapësirë zonjës Mogherini për veprim.”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha që duhet vlerësuar që procesi i dialogut iu është marrë atyre që nuk e kanë trajtuar mirë këtë proces, si dhe sukses tjetër të këtij samiti e vlerësoi atë që Serbia ka pranuar të ketë edhe një takim bilateral Kosovë-Serbi, pa u hequr taksa.

E para nuk është samit i dështuar, Berlini. Do të thotë, është vërtet një sukses sepse i është marrë procesi atyre që nuk e kanë trajtuar mirë procesin ose asaj. Pra ky është thelbi i asaj që duhet ta vlersojmë të gjithë. Fakti që është marrë ky proces nga kancelarja Merkel që ka qenë konsistente në qëndrimin e saj për mos prekje të kufijve, e të territorit të Kosovës, aty është suksesi. Pra, nëse ne në Kosovë nuk e shohim këtë sukses atëherë kemi probleme serioze, duhet ta kuptojmë që ky është thelbi i krejt asaj që ka ndodh, dhe po ashtu është kërkuar një seriozitet në qasje të mëtejme, pra është dhënë një shembull se nëse procesi devijon nuk do të lejohet një devijim i këtillë. Kjo është diçka, vërtet një lajm i mirë për Kosovën dhe lajm i mirë për rajonin edhe për stabilitetin tonë. Pjesa tjetër se sa është i suksesshëm ky samit është edhe fakti që Serbia ka pranu edhe një takim bilateral Kosovë-Serbi në Paris, pa u hequr taksa. Pra mos e harroni këtë, nuk është kjo dështim, pra është pranu me vazhdu me u ballafaqua pa i vendos kushte Kosovës, pra Kosova edhe këtu ka fituar. Dhe jo vetëm kaq, vëmendja pra përpos që Uashingtoni e ka vëmendjen direkt në çështjet Kosovë-Serbi, e kishin instancat e caktuara të BE-së, por e devijoji zonja Mogherini, tani është kthyer te qytetet kryesore të BE-së, pra kjo është një sukses.”, tha Haradinaj./21Media