Sipas Haradinajt, dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës

Sipas Haradinajt, dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës

Kryeminstri i Kosovës, Ramush Haradinaj në mëngjesin e sotëm u ka dërguar gjithë kryeministrave të botës letër shpjeguese, përmes të cilës ka sqaruar natyrën e dialogut Kosovës-Serbi.

Ndër të tjera, Haradinaj ka shkruar se  ky dialog është mes dy shteteve sovrane, i cili për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke.

“Mëngjesin e sotëm, u kam dërguar letër shpjeguese të gjithë kryeministrave të botës, me anë të së cilës u kam shpjeguar natyrën e dialogut Kosovë-Serbi.

Dialogu Kosovë-Serbi është dialog mes dy shteteve sovrane dhe për subjekt nuk e ka statusin final të Kosovës, por normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, me njohje reciproke.

Me atë të këtij sqarimi dhe qëndrimi, synojmë t’i japim fund propagandës serbe se statusi dhe territori i Kosovës është ende në tavolinë. Kosova e ka përmbyllur shtetësinë e saj më 17 shkurt 2008”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërkohë, kryeministri, Ramush Haradinaj dje u ka dërguar një dokument ambasadorëve të Quintit dhe ambasadorit të BE-së në Kosovë, duke u treguar se taksën do ta largojë vetëm në rast të plotësimit të disa kushteve. Nga kushtet e cekura në pesë pikat e Haradinajt janë: inicimi i një konference ndërkombëtare ku do të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që përmbyllet me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, që duhet të përfundojë brenda 14 ditëve të konferencës. /21Media