Kryeministri në detyrë Haradinaj e falënderoi Ambasadorin Heusgen

Kryeministri në detyrë Haradinaj e falënderoi Ambasadorin Heusgen

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka takuar sot Përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, Christoph Heusgen, me të cilin ka diskutuar për proceset politike nëpër të cilat po kalon Kosova, dialogun me Serbinë, zgjedhjet e reja në vend dhe partneritetin strategjik që Kosova e ka ndërtuar, veçmas viteve të fundit me shtetin gjerman.

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj e falënderoi Ambasadorin Heusgen për qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë dhe kancelares Angela Merkel kundër idesë për ndryshimin e kufijve dhe angazhimin konkret për rikthimin e dialogut pa kushte Kosovë – Serbi.

“Kosova është e përkushtuar, krah me aleatët strategjikë që të vazhdojë rrugën e saj euroatlantike, fuqizimin e brendshëm dhe afirmimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, si dhe për paqe e stabilitet rajonal”, theksoi kryeministri në detyrë Haradinaj.