29 vjet nga bashkimi i Gjermanisë

29 vjet nga bashkimi i Gjermanisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i ka dërguar një letër urimi kancelares Angela Merkel në 29-vjetorin e bashkimit të shtetit gjerman.

Haradinaj shkruan se Kosova është me fat që në të gjithë etapat e shtetbërjes ka pasur krah vetes shtete si Gjermania.

Ai ka shprehur mirënjohjen e thellë të Kosovës për kontributin e tyre jetik ndaj vendit tonë.

Po ashtu, Haradinaj e siguroi Merkelin se Kosova është fuqishëm e angazhuar në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Sot, kur bëhen 29 vjet nga bashkimi i shtetit gjerman, i kam nisur një telegram urimi kancelares Angela Merkel, për këtë festë kombëtare, duke shprehur mirënjohjen e thellë të Kosovës, për kontributin e tyre jetik ndaj nesh. Si partnerë të besueshëm dhe aleatë të fuqishëm, Kosova dhe Gjermania kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale dhe ndajnë vlera të përbashkëta! Urime Gjermani!”, ka shkruar Haradinaj.

Më 3 tetor të vitit 1990, Gjermania zyrtarisht u bashkua, me synimin që dy pjesët e vendit të jenë të zhvilluara në të njëjtën masë në një të ardhme të afërt./21Media