Haradinaj: Vepra e Malës dhe Berishës na bën krenarë për rrugën deri në liri

Kryeministri vlerësoi lart vlerën e dy heronjve, si intelektuale ashtu edhe atdhetare

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj sot bëri homazhe te lapidari si dhe vendosi kurora lulesh te varret e heronjve, Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Para të pranishmëve të shumtë, familjarë të heronjëve, përfaqësues institucionalë të nivelit qendror dhe lokal, si dhe qytetarë të shumtë Haradinaj tha se janë aty t’i nderojnë heronjtë, Nuhi Berishën dhe Rexhep Malën, të cilët janë vrarë në përballje me forcat e Serbisë në vitin ’84 në Prishtinë në lagjen “Kodra e Trimave”.

Haradinaj siç ceket në komunikatë, vlerësoi këtë ngjarje si shumë të veçantë, sepse pas përpjekjeve të gjata të organizatave atdhetare, shënohet edhe përballja e parë me armë dhe ajo bëri një kthesë në atë përballje.

“Kjo çoi një porosi dhe bëri kthesën se shqiptarët e Kosovës do ta marrin përsipër çlirimin e vet”, tha kryeministri Haradinaj, duke e vlerësuar lart vlerën e dy heronjve, si intelektuale, po ashtu edhe atdhetare e organizative.

“Nderim i përjetshëm për heronjtë që i kujtojmë sot, por edhe për gjithë të tjerët, sepse jemi në “Flakën e Janarit” dhe është një periudhë që na kujton plot flijime dhe na bën krenarë për rrugën tonë deri në liri”, shtoi Haradinaj.

Ndërmjet 11 e 12 janarit, 35 vjet më parë, Rexhep Mala e Nuhi Berisha kanë rënë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë./21Media

Back to top button