Haradinaj në përkrahje të Veselit

Haradinaj në përkrahje të Veselit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli gjatë ditës së sotme ka pranuar ftesë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar më 4 dhjetor në Hagë.

Në përkrahje të Veselit ka dalur edhe Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj i cili ka theksuar se Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës.

”Kadri Veseli, si një nga udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka luftuar kundër shtypjes dhe mizorive të Serbisë mbi popullin e Kosovës, si çdo luftëtar i lirisë, dhe do ta mbrojë pastërtinë e kësaj lufte me dinjitet. I bindur se edhe kësaj radhe do të ngadhënjejë e vërteta dhe e drejta jonë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Sot gjatë një konference të mbajtur për media Veseli ka deklaruar se është krenar që ka qenë pjesë e UÇK-së dhe tha se një gjë të tillë e ka bërë në baza vullnetare.

Ftesë nga Gjykata Speciale ka marrë edhe Ramush Haradinaj në muajin korrik të këtij viti kur ishte kryeministër. Për shkak të kësaj ftese ai pat dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Haradinaj është intervistuar po ashtu në muajin korrik. Dorëheqja e tij ka ndikuar që në Kosovë të zhvillohen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të cilat janë mbajtur me 6 tetor 2019.

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe krimeve tjera penale në lidhje me akuzat nga Raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2011, ku flitet për krimet e pretenduara se i kanë bërë pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në periudhën prej vitit 1998 e deri në vitin 2000. /21Media