Haradinaj: Veseli ka qasje të gabuar

Kryeministri thotë se qëndrimet e ndryshme për taksën po e dobësojnë vendin

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar deklaratën e mbrëmshme të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli lidhur me taksën e vënë ndaj Serbisë duke thënë se qëndrimet e ndryshme të udhëheqësve lidhur me taksën po e dobësojnë vendin.

Veseli mbrëmë tha se kryeministri Haradinaj nuk duhet të ketë qasje të ngjashme si me Serbinë ashtu edhe me SHBA-të dhe Bashkimin Evropian për taksën, duke shtuar se duhet mençuri në këtë temë.

Lidhur me marrëdhëniet me kryeparlamentarin Veseli dhe qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës, shefi i Qeverisë tha se qasje e Veselit është e gabuar dhe se nuk është me rëndësi jetëgjatësia e koalicionit, por e rëndësishme sipas tij është mbrojtja e interesit nacional.

“Nuk e kam takuar qe një kohë, takohemi kohë pas kohe por mendoj se e ka qasjen e gabuar edhe Thaçi dhe këta që e kanë dobësuar Kosovën sa që Serbia sot me qit kushte për me ardh në tavolinë dhe këta njerëz që e kanë udhëhequr vendin, nuk pranoj me qit kushte Serbia për dialog. Nuk e jap tregun, ne flasim me Amerikën si me familje, por familjes duhet t’i tregosh se ku po të dhemb”, tha Haradinaj.

Këto deklarata kryeministri i ka bërë pas takimit që pati me Azgan Haklaj, presidentin e Unionit Artistik të Kombit Shqiptar të cilin e ka nderuar me dekoratën “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu”.

Qeveria e Kosovës në nëntor të vitit 2018, pati vendosur taksën prej 100 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnje Hercegovina./21Media

Back to top button