Haradinaj: Vetëvendosje mund të ketë gabim kalkulimin për zgjedhje të reja

“Është e çuditshme kjo qasje, çka është suksesi atëherë, a është sukses të shkosh në zgjedhje apo t’i ndërtosh institucionet”

Zgjedhjet e reja nëse dështon arritja e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për formimin e qeverisë, sipas kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, mund të jenë kalkulime të gabuara për VV-në.

Ai ka thënë se paralajmërimet që nëse dështon arritja e koalicionit VV-LDK, partia e Albin Kurtit do të marrë më shumë vota, mund të jenë gabim.

“Është e çuditshme kjo qasje, çka është suksesi atëherë, a është sukses të shkosh në zgjedhje apo t’i ndërtosh institucionet. Unë ju them se duhet bërë kujdes. Nëse dikush e ka bind Vetëvendosjen dhe Kurtin se i mjafton që t’ia lë fajin LDK-së, sepse s’po janë të arsyeshëm, t’i shkon në zgjedhje e rritesh, mundet mos m’i dalë ashtu, mund të jenë kalkulime të gabuara ato. S’do të veproja ashtu po të isha në atë pozitë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se i takon Kurtit që si lider i partisë që ka fituar të gjejë formulën për të ecur përpara.

“Unë kisha shpreh për besimin që më është dhënë, një votë më shumë se i dyti, je fitues. Por isha kujdes që ai që e ka një votë më pak se unë, se s’është diferencë e madhe, isha kujdes me gjet një formulë për me ecë para. Duhet me ecë jo pse ti po do, por se populli ka votuar ashtu”, ka deklaruar më tej ai./koha.net

Back to top button