Haradinaj shkoi për t'i uruar Policët e Doganës

Haradinaj shkoi për t’i uruar Policët e Doganës

Në ditën e fundit të vitit 2019, kryeministri në detyrë Ramush Haradinajn ka vizituar Merdare ku është njohur me punën që po kryen policia dhe Dogana e Kosovës në këtë pikë kufitare me Serbinë, e cila është e njohur për nga frekuentimi i madh i udhëtarëve sidomos gjatë kohës së pushimeve.

Ai me këtë rast ka uruar pjesëtarët e Policisë dhe Doganës së Kosovës për punën që po bëjnë dhe angazhimin e madh gjatë gjithë vitit që po e lëmë pas.

“Kam ardhur në shenjë falënderimi për të shprehur respekt për ata që janë në punë dhe shërbim kur ne të tjerët festojmë. Jeta vazhdon me ritmet e veta. Falënderoj drejtorin, nënkolonelin nga policia dhe nga dogana që vazhdojnë të shërbejnë për qytetarët që kthehen në atdhe në këtë kohë. Është gjesti që sonte t’iu themi faleminderit për këtë shërbim dhe punën që e bëjnë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka folur edhe rreth mos implementimit të IBM-së nga ana e palës serbe sipas marrëveshjes së Brukselit për rregullimin e infrastrukturës në këtë pikë kufitare.

“Ka pasur dikur dakordim politik, sikurse e dini me dakordim është rregulluar infrastruktura e përbashkët, por ka disa paqartësi dhe shpresojmë t’i përmbyllim ndonjëherë, por është një shembull i mirë, pra shohim një infrastrukturë profesionale që mundëson punën dhe do të ishte shumë më lehtë për qytetarët e dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe shpresoj që shumë shpejt do të rregullohet”, është shprehur Haradinaj.

Ndryshe, Prishtina dhe Beogradi, më 2012 kanë nënshkruar marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, patën nënshkruar në Bruksel para pesë vjetësh marrëveshjen për ndërtimin e 6 objekteve të përhershme kufitare të njohura si IBM, ndërtimi i të cilave financohet nga BE me 21 milionë euro.
Edita Tahiri, e cila ka kryesuar ekipin negociator të Prishtinës, marrëveshjen e pati konsideruar shumë e rëndësishme, me të cilën, siç ka thënë ajo, rrumbullakohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes së IBM-it (Menaxhimit të Integruar të Kufirit) dhe të Protokollit Teknik, gjë e cila ende nuk ka gjetur zbatim nga pala serbe.