Haradinaj viziton Ferronikelin, zotohet për përkrahje

Zotohet për përkrahje në rrugëtimin drejt zhvillimit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar sot ndërmarrjen “Ferronikeli” në Drenas. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se gjatë kësaj vizite i ka shprehur mirënjohje aksionarit kryesor Samir Mane dhe Balfin Group për investimin. Ndër tjerash, ka shkruar se NewCo Ferronikeli është eksportuesi dhe punëdhënësi më i madh privat në vend.

“NewCo Ferronikeli është eksportuesi dhe punëdhënësi më i madh privat në vend, me rreth 800 punëtorë dhe 400 kontraktorë. Gjatë një vizite pune i shpreha mirënjohjen aksionarit kryesor Samir Mane dhe Balfin Group për investimin në këtë aset me rëndësi strategjike për ekonominë e vendit. Nga menaxhmenti u njoftova me ecurinë e rivendosjes së prodhimit përgjatë këtyre muajve, mundësinë e rritjes së kapaciteteve prodhuese dhe për planin e ardhshëm operacional. Investitorët në Kosovë kanë partner të përhershëm Qeverinë, që do të jetë gjithmonë përkrah tyre në rrugëtimin drejt zhvillimit dhe avancimit në tregun e brendshëm dhe ndërkombëtar.”, ka shkruar Haradinaj.

 

NewCo Ferronikeli, një ndër kompanitë më të mëdha eksportuese të Kosovës ka rinisur me sukses prodhimin në gusht të vitit 2018. Sikurse dihet, “NewCo Ferronikeli Complex LLC”, një nga operatorët më të mëdhenj në fushën minerare dhe metalurgjike në Ballkan është blerë nga Grupi Balfin./21Media

Back to top button