Takimi i Haradinajt me përfaqësues të Caritas-it

Takimi i Haradinajt me përfaqësues të Caritas-it

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur sot në takim përfaqësues të organizatës humanitare Caritas. Pas takimit, Haradinaj ka deklaruar se roli i tyre është i jashtëzakonshëm.

“Roli i Caritas Kosova në komponentën sociale në shërbim të komunitetit është i jashtëzakonshëm, veçmas në aspektin e kujdesit shëndetësor. Prita sot përfaqësuesit e kësaj organizate humanitare, si pjesë e Caritas-it europian, prirë nga Don Viktor Sopi, me të cilët u pajtuam që projektet e tyre forcojnë shërbimet e komunave. Qeveria do të vazhdojë mbështetjen e programeve të përbashkëta të Caritas me komunat e Kosovës, që përfshijnë ofrimin e shërbimeve mjekësore në shtëpi dhe punësimin e qindra mjekëve praktikatë e punëtorëve tjerë shëndetësor.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Caritas Kosova, si institucion bamirësie në Kosovë, analizon nevojat e njerëzve dhe komuniteteve kosovare dhe në përputhje me këto nevoja promovon lëvizje, iniciativa, duke zhvilluar programe dhe projekte për të përmirësuar cilësinë e jetës, për zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, duke përfshirë ndërtimin e paqes, arsimin dhe kujdesin ndaj njerëzve në nevojë dhe të margjinalizuar./21Media