Haradinaj zotohet se Qeveria do të shtojë kujdesin për fëmijët me autizëm

“Fëmijët me autizëm janë fëmijë me talente te veçanta, por poashtu kërkojnë përkujdesje specifike”

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka vizituar organizatën “Autizmi flet’, e cila në prag të festave të fundvitit një pjesë të aktivitetit të saj po e zhvillon në sheshin  “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, që ka për qëllim të ofroj ndihmë për fëmijët me autizëm.

Me këtë rast, i pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj ka thënë se këta fëmijë kanë talente të veçanta dhe kërkojnë përkujdesje specifike. Haradinaj është zotuar se në vitin 2019 do të shtohet kujdesi i Qeverisë për ta.

“Fëmijët me autizëm janë fëmijë me talente te veçanta, por poashtu kërkojnë përkujdesje specifike. Këtë mëngjes nga vullnetarët dhe anëtarët e organizatës “Autizmi Flet” mësova për idetë kreative të tyre, për motivet që transmetojnë mesazhe përmes kartolinave punëdore. Duke qenë se me shitjen e tyre, ngriten fonde për t’i ndihmuar personat me autizëm, bleva disa për t’i uruar të gjithë ata me të cilët kemi ecur bashkë përgjatë vitit që po lëmë pas. Në vitin 2019 do të shtojmë kujdesin, që të jemi më afër tyre, si Qeveri por edhe të vetëdijësohemi si shoqëri, që të materializohet barazia dhe përkrahja për të gjithë.”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Ndërkaq, drejtoresha e organizatës “Autizmi flet”, Violetë Hyseni, ka shprehur falënderimin e saj për vizitën e kryeministrit Haradinaj, duke thënë se ndihen të nderuar për përkrahjen në prag të festave të fundvitit.

“Kryeministri na ofroi edhe mbështetje bleu një numër të madh të kartolinave, ku ato mjete do të shkojnë si fonde në organizatën tonë”, tha Hyseni, duke vlerësuar edhe rolin e vullnetarëve të cilët janë studentë të diplomuar në fusha të ndryshme./21Media

 

Back to top button