Haxha: Deputetja Deliu m’u ka lutë për të punësuar njerëz në PTK

Haxha ka raportuar sot para komisionit hetimor të PTK-së

Ish kryeshefi i PTK-së Shyqeri Haxha para deputetëve tha se në kohën kur kishte ardhur në krye të PTK-së kontrata me Z-Mobile ka qenë punë e kryer.

“Çdo gjë ka nisur 3 vjet para se të vijë unë. Kur kam ardhur unë çdo gjë ka qenë e përfunduar, me procedurë të tenderimit, e të gjitha. Është hera e parë në Kosovë që kontrata negociohet bashkë me bordin dhe menaxhmentin. Në këtë rast çdo gjë ka qenë e përfunduar. Kur kam ardhur në Kosovë nuk e kam njohur asnjë njëri, të parët që i kam takuar kanë qenë anëtarët e bordit. Kam ardhur me një mentalitet ku respektohet ligji”, tha Haxha.

Ai tregoi edhe se është kërcënuar me vdekje në plot raste.

“Tri herë jam kërcënuar me vdekje, kur kam kërkuar largimin e antenave serbe jam kërcënuar me vdekje. I kam shkarkuar drejtorët, nuk kam bërë kompromis. Me të gjithë politikanët që jam takuar iu kam thënë që nuk lejoj të dëmtohet kompania. Kjo kontratë ka qenë e nënshkruar, nëse e shikoni vendimin e bordit thotë kështu, bordi me shumicë votash ka miratuar. Nuk thotë me nënshkrua, por me implementua. Nuk ka mundur njëri i gjallë për ta ndalur atë kontratë”, tha ai.

Haxha tha se kontrata me Z-Mobile është përdorur si biletë për të hyrë në PTK dhe për ta bluar PTK.

“Kjo është përdorur si biletë për të hyrë në PTK dhe për ta bluar PTK. Aty ka grupe kriminale dhe e bluajnë. Janë grupe kriminale, ata e bluajnë se nuk ia faturon një faturë hiç. Sistemi i Telekomit është shumë kompleks. Kjo kontratë kish me qenë shumë profitabile”, tha ai.

“Rreth 20 takime kam kërkuar që të ndalet kjo kontratë, bordi më ka thënë se nuk mundesh me e ndal. Kam qenë vetëm dhe është dashur të ballafaqohem me ta, unë nuk kam mundur të tërhiqem”, tha ai.

Sa i përket punësimeve në PTK Haxha ka thënë se ka punësuar vetëm tre persona.

“Janë tri persona që i kam punësuar, e kam punësuar dikë që, e kam punësuar një nënë të Gjakovës Ferdonije Qerkezin, ajo e ka sjell një grua në PTK në vitin 2010 dhe ka thënë, e kam punësuar një grua të Drenicës që iu kishin vra 4 vëllëzërit”, tha ai.

Ai ka akuzuar deputeten e PDK Blerta Deliu se i kishte kërkuar që ta punësoj dikë.

“Blerta Deliu ju më keni thënë që ta punësoj dikë në punë”, tha ai.

Për këtë ka reaguar deputetja Deliu. “Kurrë në jetë nuk kam kërkuar punësim për dikë”, tha ajo.

Haxha ka treguar se edhe ish kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku i kishte dërguar persona për t’i punësuar duke e shantazhuar se nëse nuk ndodh kjo do të thonë se vëllai i Shyqeri Haxhës Bahri Haxha nuk ka qenë dëshmor i kombit.

“Dy persona m’i ka dërguar Bajram Mulaku nga Vushtrria. Më kanë thënë që nëse nuk punësohen, do të themi se Bahri Haxha nuk ka qenë dëshmor. Qata nuk janë punësuar”, tha ai.

Back to top button