Haxha i kërkon falje Blerta Deliu Kodrës

Haxha i kërkon falje Blerta Deliu Kodrës

Ish-kryeshefi i PTK-së Shyqyri Haxha është tërhequr nga akuzat që dje i ka bërë deputetes së PDK-së Blerta Deliu-Kodra.

Haxha dje teksa ka raportuar në Komisionin parlamentar për hetimin e PTK-së ka thënë se deputetja Deliu i ka kërkuar që ta punësojë në PTK një të afërm të saj.

Deputetja Deliu Kodra ka mohuar këtë dhe ka paralajmëruar padi ndaj Haxhës. “Me bindje të plotë e them se nuk jemi takuar asnjëherë. Ju sot keni shpif. Unë e marr personale, se nuk ua të bëhem objekt i medieve, është në pyetje kredibiliteti im dhe familjes time. Dua që këta përfaqësues kur vijnë të raportojnë të jenë të sinqertë. Unë nuk kam kërkuar asnjëherë të punësohet, dhe nuk jam njohur me Z. Haxhën. Unë jam lënduar se është plotësisht e pavërtetë. Po më vjen turp që sot u shndërrua në betejë mes meje dhe teje. Unë do të iniciojë padi. Unë nuk kam qenë asnjëherë në manifestime të PTK-së”, ka deklaruar dje Deliu-Kodra.

Por sot ish kryeshefi i PTK-së ka kërkuar falje për deklaratat e djeshme si dhe ka thëne sa ka respekt ndaj deputetës.

“I kërkoj falje deputetes Blerta Deliu – Kodra rreth deklaratës së djeshme në Komisionin Hetimor në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala. Kam respekt për deputeten dhe deklarata ime ka qenë nen efekt dhe si të tillë e tërheq atë deklaratë.”, ka shkruar Haxha në Facebook.

Kurse dje , Shyqyri Haxha është betuar në Zot se Deliu-Kodra i ka kërkuar që t’ia punësojë një familjar dhe se një kërkesë e tillë ka ndodhur gjatë një manifestimi të PTK-së. /21Media