Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është sjellur sot me pranga në gjykatore

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti është sjellur sot me pranga në gjykatore

Kurti dhe Donika Kadaj-Bujupi po qëndrojnë në paraburgim me një vendim të gjyqtarit Beqir Kalludra.

Në seancën e sotme kanë dëshmuar deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu dhe deputeti i LDK-së Naser Osmani.

Katër deputetët e VV-së Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli akuzohen se kanë hedhur gaz lotsjellës në seancën e 8 tetorit të vitit 2015.

Po sot si dëshmitar është ftuar edhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe deputeti Armend Zemaj.

Veseli nuk është paraqitur në seancë pasi që është thënë se nuk ka marr ftesë zyrtare nga Gjykata.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij deputeti i LDK-së Naser Osmani tha se nuk i kujtohet kush ka hedhur gaz por i kujtohet vetëm ngjarja që ka ndodhur.

“Kryeministri është gjuajtur me vezë dhe pastaj është ndërprerë seanca. Në këtë seancë sa më kujtohet nuk ka pasur tjetër pengesë nga opozita. Seancat tjera të radhës janë ndërprerë për shkak të rrëmujës që janë krijuar me hedhjes së gazit lotsjellës. Jo nuk më kujtohet janë incizimet e kamerave ”, tha Osmani.

Në lidhje me dëshminë e tij, prokurori Valdet Gashi e ka ballafaquar Osmanin me deklararën e dhënë në Polici ku kishte thënë se tymi që mjeti i dyshuar lironte ishte ngulfatës dhe lotsjellës i cili ngacmonte fytin dhe sytë, ndërsa sot e tha të kundërtën.

Sipas Osmanit, nga gazi nuk ka pasur ndonjë pasojë dhe se ishte mirë me shëndet.

Osmani është ballafaquar edhe me pyetjet e avokatëve mbrojtës dhe të akuzuarve.

I akuzuari Albin Kurti e ka pyetur Naser Osmanin se a kanë sulmuar personalisht katër deputetët e akuzuar, dhe se ka kërkuar ndihmën mjekësore për shkak të gjendjes shëndetësore. Osmani tha se nuk është sulmuar nga këta deputetë dhe nuk ka kërkuar ndihmë mjekësore.

Kurti ka pasur vërejtje për mënyrën e marrjes në pyetje të dëshmitarit nga ana e kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, duke vlerësuar se është ushtruar trysni mbi dëshmitarin.

Të njëjtin mendim e ka pasur edhe e akuzuara, Donika Kadaj- Bujupi e cila tha se kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra ka bërë presion të madh ndaj dëshmitarit, Naser Osmani i cili shkonte deri në kërcënim.

“Duke marrë parasysh se kryetari i trupit gjykues ushtroi presion tepër të madh ndaj dëshmitarit, presionit të pa parë i cili shkonte deri në kërcënim, unë nuk kam pyetje për dëshmitarin por kam vërejtje për ju”, tha ajo.

Për ngjarjet që kanë ndodhur në vitin 2015 ka dëshmuar sot deputeti i PDK-së Bekim Haxhiu. Ai tha se deputeti Kurti fillimisht ka hedhur ujë me gotë plastike në drejtim të kryesuesit të seancës, Xhavit Haliti dhe protesta brenda Kuvendit ka vazhduar deri në hedhjen e gazit lotsjellës.

Haxhiu në dëhsminë e tij tha se ishte deputeti Kurti, i cili në seancën e tetorit 2015 e ka hedhur gazin lotsjellës.

“Gazin lotsjellës e ka hedhur Albin Kurti…është ulur në pjesën mu përpara foltores së Kuvendit, e ka ndezur në tokë dhe pastaj e ka shqelmuar me këmbë në drejtim të grupit parlamentar të LDK-së, iu ka dokt pak ka shku edhe prej atje e ka shkelmu pastaj në pjesën qendrore tek grupi parlamentar i PDK-së. Gazi është shpërndarë në pjesën e Kuvendit dhe ka qenë e pamundshme qëndrimi brenda sallës dhe e kam liruar seancën”, tha ai.

Haxhiu i pyetur se a ka pasur ndërprerje të seancave tjera për shkak të hedhjes së gazit, ai tha se në vazhdimësi është ndërprerë puna e Kuvendit për shkak të hedhjes së gazit duke treguar se ai ka parë në dy raste Donika Kada –Bujupi dhe Faton Topalli duke gjuajtur gaz lotsjellës.

Edhe Haxhiu është ballafaquar me pyetjet e të akuzuarve.

Donika Kadaj Bujupi e pyeti dëshmitarin Haxhiu se kur saktësisht e ka parë në seancë atë ditë sepse sipas Kadaj Bujupit, në deklaratën e dhënë në polici, Haxhiu ka thënë se përmes pipave në gojë atë ditë është kundërshtuar puna e Kuvendit, ndërsa tani po thotë që edhe ajo ka hedhur gaz lotsjellës.

Haxhiu tha se në momentin kur është hedhur gazi lotsjellës, Donika Kadaj- Bujupi ka qenë e ulur afër dy deputetëve të AAK-së ku vetëm Lahi Brahimaj i kujtohej se ishte ulur, ndërsa për deputetin tjetër ishte në mes të Pal Lekajt dhe Ramush Haradinajt, dhe duart i ka pasur nën tavolinë, kur është hedhur gazi lotsjellës.

“Ka qenë ulur në mes të dy deputetëve të AAK-së ,sa më kujtohet njëri nga ta ka qenë Lahi Brahimaj ka pasur duart lartë mbi tavolinë ndërsa, Donika ka qenë aty dhe ka pasur duart nër tavolinë kur është hedhur gazi lotsjellës”, tha ai.

Gjykata ia ka marr të drejtën në pyetje të akuzuarës Albulena Haxhiu për dëshmitarin Haxhiu me arsyetimin se nuk po i bindet Gjykatës.

Ndryshe, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosjes akuzohen për veprat penale “ Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshme”. Seanca e sotme ka përfunduar, ndërsa tjetra është caktuar të mbahet me 20 dhjetor, në orën 9:00.