Sipas Haxhiut VV nuk ka vendosur për një koalicion

Sipas Haxhiut VV nuk ka vendosur për një koalicion

Në debatin me temën “Çfarë zgjidhje ofrojnë zgjedhjet?”, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se pasqyra më e qartë se sa subjekte politike kanë përkrahje të qytetarëve, është që të garojnë të vetme.

“Kryesia e as këshilli i VV-së nuk ka vendosur për një koalicion, pra tek ne nuk vendos kryetari. Ne jemi treguar të hapur me LDK-në, konsiderojmë se opozita më e vërtetë është LDK dhe VV ani pse jemi e majta dhe e djathta…. shpresën rinisë ja ka hëngri ky subjekt politik PDK. VV nuk bënë pra koalicion me PDK-në. PDK dhe VV janë dy pole, PDK që e ka shkatërruar vendin, dhe VV që e do demokracinë, LDK duhet të zgjedh me kë dëshiron të shkojë“, tha ajo.

Haxhiu deklaroi se dorëheqja e Haradinajt nuk ka ardhur për shkak të ftesës që ka pranuar nga Gjykata Speciale. Ajo tha se në Vetëvendosje e kanë kundërshtuar datën 22 gusht për shpërndarje të Kuvendit, pasi sipas saj, PDK-ja nuk është e gatshme për zgjedhje dhe mund të përfitojë në kohë për të bërë kalkulime.

“Dorëheqja e Haradinajt ishte fillim i fushatës zgjedhore. Nëse do të ishte ftesa arsyeje, nuk do të kandidonte, do të priste. Po përfitojnë në emër të luftës. Ministrat e PDK-së, Hoxhaj e Hamza treguan se janë kundër zgjedhjeve, PDK lufton për vendin e tretë. Ne e kemi kundërshtuar datën 22 gusht, se këtu brenda natës bëhen pazare. Është shfrytëzuar çdo mundësi që të mos mbahen zgjedhjet. Opozita e vërtetë sot duhet të jetë në qeverisje e ardhshme”, tha Haxhiu.

Ndërsa, Arben Gashi, nga lidhja Demokratike të Kosovës në këtë debat tha se në parim qëndrimi i LDK-së është që çdo parti të shkojë e vetme në zgjedhje, por nëse partitë parlamentare lidhin koalicion parazgjedhor, atëherë do të jenë të interesuar për koalicion opozitar duke aluduar me VV-në./21Media