Haxhiu: Më vjen keq që opozita po i bojkoton këto dëgjime publike

Dëgjimi publik i nisur në Komisionin Parlamnetar për Legjislacion, për një Byro që partia në pushtet e ka propozuar me qëllim të siç thotë luftimit të korrupsionit, nuk arriti synimin e tij. Opozita nuk erdhi në Komision dhe e vuri në siklet Ministren Haxhiu e cila megjithatë shfaqi, siç tha keqardhje.
“Më vjen sinqerisht keq që opozita as nuk ka dërguar amandamente për këtë projektligj dhe as nuk merr pjesë në një dëgjim të tillë publik vetë kam qenë deputetë më shumë se 10 vite dhe kur kam pas kritika për një projektligj menjëherë i kemi përcjell amandamntet për atë projektligjet e ndryshme. Prandaj, nëse ka mendime ndryshe për këtë projektligj është dashur ose të marrin pjesë në dëgjimet publik dhe jo t’i bojkotojnë ato, ose që në anën tjetër të bëhen amandamentet për këtë projektligj”, theksoi ajo.
Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme kaloi në lexim të parë në Kuvend të Kosovë, pak kohë më parë dhe mori mbështetjen e të gjithë deputetëve të pushtetit. Opozita abstenoi për aq sa abstenoi edhe vetë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Projektligji i qe dhënë për shqyrtim Komisionit të Venecias, i cili gjeti mangësi të mëdha dhe kërkoi që procedurat e konfiskimit duhet të rregullohen e implementohen në pajtim me Kushtetutën
Por ministrja Haxhiu tha se rekomandimet e dala nga Komisioni i Venecias do të adresohen në grupet punuese në Komisionin për Legjislacion.
“Asnjëherë dhe në asnjë takim në asnjë formë tjetër nuk ka qenë qëllimi të shkelen të drejtat e qytetarëve apo çfarëdo forme tjetër e abuzimit me këtë institucion të ri që do të krijohet. Pra, ideja është që ta bëjmë një projektligj të mirë, i cili do të jetë i zbatueshëm dhe jo që pastaj të keqpërdoret në një formë apo tjetër… MD gjatë hartimit të projektligjit për zgjedhjen e drejtorit është bazuar në praktikat e deritanishme ligjore që kanë adaptuar politikat e vendit ashtu që zgjedhja të bëhet nga Kuvendi meqë Byroja është institucion i pavarur dhe se votimi i drejtorit të bëhet sipas nenit 80 të Kushtetutës. Por, gjithsesi rekomandimet konkrete nga opinioni lidhur me këtë çështje besoj se e kanë ndihmuar dhe do ta ndihmojnë më tutje dhe grupin punues që ta gjejnë një zgjidhje që do të kontribuoj për zgjedhjen e drejtorit sa më profesional dhe sa më të pavarur”, theksoi ajo.
Komisioni i Venecias ka shprehur një numër vërejtjesh për Byronë, përfshirë edhe mënyrën e propozuar për emërimin e drejtorit dhe ka përfunduar se sic thotë, “është e dyshimtë, nëse krijimi i një organi të ri do ta bënte luftën kundër korrupsionit vërtetë më efektive – ose nëse do ta ndërlikonte të gjithë sistemin që tashmë përfshin një sërë organesh, si Policinë, Prokurorinë, autoritetet doganore dhe Agjencinë Kundër-Korrupsionit.
Por Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit,Yll Buleshkaj, e cilësoi si pjesën e fundit të, siç tha, mozaikut për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.
“Ky do të mund të konsiderohet si pjesa e fundit e këtij mozaiku për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit sepse besojmë se do ta ndihmojë edhe punën tonë, pastaj punën e mirë që do ta kryente një institucion i tillë. Ne jemi gjithmonë të hapur për të bashkëpunuar dhe kontribuar me atë çka mundemi… Kurdo që do të themelohet një institucion i tillë ne do të mundohemi të bashkëpunojmë dhe të përkrahim institucionin si në themelim ashtu edhe në shqyrtimin e rasteve sepse besoj që si agjenci kemi materiale të mjaftueshme që në fillim kur të fillojë punën ky institucion të ketë me çka të merret”, theksoi Buleshkaj.
Përfaqësuesi i shoqërisë civile, Gëzim Shala, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka shprehur rezerva për adresimin e plotë të rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
“Nëse flasim për përzgjedhjen e drejtorit është se do të jetë një trup e përbërje të shumicës që do ta zgjedh dhe do ta mbaj nën kontroll drejtorin e përgjithshëm ngjashëm pothuajse siç parashihet me ndodh edhe me Akademinë e Drejtësisë. Mirëpo ideja që në këtë rast se nuk e dimë se kush do të jetë anëtar e si do të zgjidhen që bëjnë të pamundur me ditë nëse garantohet pavarësia e institucionit. Një çështje tjetër që sipas opinionit të Komisionit të Venecias është tani më e diskutueshme dhe që besoj se duhet të diskutohet është fakti nëse kemi nevojë për të themeluar një byro ose Agjenci institucion tjetër që do ta trajtojnë këtë aspekt, apo do të mbetej në mekanizma aktual… Edhe nevoja për themelimin e një Byroje pa ja dhënë konkludim është tani më një çështje e diskutueshme… Unë besoj që është goxha problematike duke pasur parasysh se si vepron Kuvendi dhe si funksionon MD unë besoj që do të jetë më problematike të adresohet të gjitha komentet që janë dhënë nga ana e Komisionit të Venecias”, tha Shala.
Komente gjatë javës së ardhshme do të dërgojë për projektligjin në fjalë edhe institucioni i Avokatit të Popullit, i cili kërkoi që ky ligj të jetë i qartë./21Media

Back to top button