Haxhiu: Paralajmërimi i Haradinajt po bëhet për t’ua mbyllur gojën prokurorëve special

Haxhiu ka thënë se kjo po bëhet me qëllim që t’ua mbyll gojën prokurorëve që po merren me rastin e tij

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dje ka bërë të ditur se nga sot prokurorët specialë do të kenë edhe shtesat e pagës, duke e vlerësuar si hap të rëndësishëm në lufimin e korrupsionit.   Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se në mbledhjen e sotme të Qeverisë do të vendoset për shtesat financiare, me qëllim të fuqizimit të Prokurorisë Speciale.

Lidhur me këtë paralajmërim të kreut të ekzekutivit, ka reaguar deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e cila përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook ka bërë të ditur se ky parlajmërim i Haradinajt po bëhet me qëllim që t’ua mbyll gojën prokurorëve special që po merren me rastin e tij.

“Sipas i informacioneve që i kemi, kallëzimin penal që e kemi deponuar për vendimin e paligjshëm të Qeverisë Haradinaj, për ngritjen e pagave për vete, është duke e trajtuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Paralajmërimi i Haradinajt, për shtesa prokurorëve të Prokurorisë Speciale përveç tjerash është edhe tendencë për t’ia mbyllur gojën prokurorëve special. Për t’a dëshmuar të kundërtën prokuroria duhet të veproj menjëherë karshi shkeljes penale të Kryeministrit dhe ministrave që e kanë votuar atë vendim të paligjshëm.”, ka shkruar Haxhiu.

Për paralajmërimin e kryeministrit, ka reaguar edhe organizata ÇOHU, që e ka cilësuar si “ndërhyrje në sistemin e drejtësisë”.

“Çdo ndërhyrje në këtë qark vendimmarrës, aq më tepër përmes një vendimi qeverie, e jo ligji për buxhetin, përbën ndërhyrje në pavarësinë e sistemit të pavarur prokurorial dhe është një koncept klientelesk i trajtimit të prokurorëve”, bëhet e ditur në reagim.

Organizata Çohu dhe GLPS rikujtojnë që përkundër vendimit për rritje pagash për sektorin e drejtësisë nga Qeveria e Kosovës ende nuk ka prodhuar asnjë efekt të qëndrueshëm në performancën, efektivitetin dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

Sot me fillim nga ora 14:00 mbahet mbledhja e rregullt e Qeverisë, ku pritet se a do të miratohet vendimi i kreut të Qeverisë./21Media

Back to top button