Haxhiu: Tani e tutje politikanët do të kenë frikë nga prokuroria

Haxhiu thotë se ka manipulime të mëdha me numrin e veteranëve të luftës së UÇK-së

Prioritet i qeverisë Kurti është padia e Kosovës ndaj Serbisë për krime lufte. Në mandatin tim nuk do të ketë prokuror që do t’i frikësohet politikanëve por politikanë që i frikësohet prokurorisë. Kështu ka thënë Albulena Haxhiu, e cila ka marrë detyrën e ministres së Drejtësisë. Ajo në një intervistë për kp flet edhe për veteranët e rrejshëm dhe për rastin e vdekjes së aktivistit Astrit Dehari, për të cilin thotë se do të zbardhet së shpejti.

Haxhiu thotë se ka manipulime të mëdha me numrin e veteranëve të luftës së UÇK-së, dhe sipas saj, aty përfshihen persona që kanë qenë aktiv në jetën politike, e kjo nuk do të ketë ndikim në ndriçim të rastit.

“Fakti që është rritur për 60 mijë është tregues i qartë se ka pasur manipulime të mëdha. Duke mos u dukur që ne e cenojmë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, unë dua ta shtoj këtu kërkesën time që institucionet e drejtësisë duhet ta bëjnë punën e tyre për çfarëdo rasti që iu shkon atyre. Nuk do të ketë më prokurori që do t’iu frikësohet politikanëve, por politikanë të korruptuar që do t’i frikësohen prokurorëve. Pra, pavarësisht faktit që aty përfshihen persona që kanë qenë aktiv në jetën politike, ne do të ndërtojmë rrethana të reja, ku prokurorët nuk do të kenë frikë nga askush. As nga qytetari i thjeshtë, as nga ata që bartin petkun, qoftë të deputetit apo edhe kujt do qoftë”, thotë Haxhiu.

Derisa flet për rastin e vdekjes së aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, Haxhiu thotë se është lajm i mirë që me këtë po merret Prokuroria Speciale dhe jo ajo Themelore e Prizrenit.

Rastin e vdekjes së tij e quan skandaloz, derisa shton se beson fuqishëm që i njëjti do të ndriçohet sa më parë.

Derisa Kosova i ka vetëm tre prokurorë të Prokurorisë Speciale, Haxhiu thotë se është e pamundur që me këtë numër të hetohen krimet e luftës. Andaj, ajo deklaron se do të rriten kapacitet.

Ndër të tjera, Haxhiu që mban postin e ministres së Drejtësisë në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti thotë se prioritet e kanë padinë ndaj Serbisë për krimet e luftës.

Për këtë, thotë se do të konsultohen me ekspertë vendor e ndërkombëtarë. Gjithashtu, ajo flet edhe për gjykimin në mungesë, ku thotë se tash institucionet e Kosovës e kanë të drejtën të nisin hetimet dhe nëse i dyshuari nuk vjen për të marrë pjesë në seanca, e kanë të drejtën të shpallin atë, person të gjykuar në mungesë.

Albulena Haxhiu thotë se do të kërkojnë që me urgjencë të trajtohet ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale, që të votohet në Kuvendin e Kosovës pas vlerësimit të Komisionit të Venecias.

Ndërkohë të premten kanë finalizuar shkresën për të dërguar për vlerësim te Komisioni i Venecias.

Albulena Haxhiu është zgjedhur ministre e Drejtësisë në Qeverinë Kurti, me datën 3 shkurt të këtij viti.

Back to top button