Haziri kërkon ndërprerjen e grevës

Kërkon nga Qeveria që t’i përmbushin kërkesat e SBASHK-ut

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, i shoqëruar nga drejtori i Arsimit, Nazim Gagica, ka vizituar grevistët në shkollën fillore “Sadulla Brestovci” dhe edukatoret e çerdhes “Ardhmëria II”.

Siç njofton komunikata për media nga Komuna e Gjilanit, kryetari Haziri me këtë rast ka kërkuar ndërprerjen e grevës dhe në të njëjtën kohë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës përmbushjen e të gjitha kërkesave të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

“Kërkesat e grevistëve janë të drejta, por humbja e mësimit është humbje e madhe për nxënësit. Prandaj, kërkoj nga SBASHK-u që ta ndërpresë grevën dhe nxënësit t’i kthehen procesit të rregullt mësimor. Por, kërkesa ime drejtuar Qeverisë është që t’i përmbush të gjitha kërkesat e Sindikatës”, ka thënë Haziri.

Ndërkohë që ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe mësimdhënësve për ndërprerjen e grevës në arsim. Greva e mësimdhënësve në të gjitha nivelet arsimore ka hyrë të ditën e katërt.

Back to top button