Javën e ardhshme nisin konsultimet intensive për shpërbërjen e Kuvendit

Javën e ardhshme nisin konsultimet intensive për shpërbërjen e Kuvendit

Lidhja Demokratike e Kosovës në mbledhjen e sotme ka diskutuar për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës dhe zgjedhjet e brendshme partiake. Zyrtarë të kësaj partie thanë se ende nuk kanë pranuar ftesë nga presidenti Hashim Thaçi për konsultime për datën e zgjedhjeve të parakohshme.

Në një konferencë për media, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri tha se nga java e ardhshme do të nisin konsultimet intensive për shpërbërjen e Kuvendit të Kosovës, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj.

Besojmë shumë që në organizim dhe menaxhim dhe duke vendosur së bashku kërkesën për aprovimin e disa ligjeve që lidhen me ratifikime ndërkombëtare, sidomos me Komisionin Evropian dhe të tjera, ne do të arrijmë të shkojmë drejt shpërbërjes së Kuvendit të Republikës” , u shpreh ai.

Haziri tha se më 3 gusht, kur do të mbahet Kuvendi i Përgjithshëm Zgjedhor i LDK-së, do të bëhen të ditur emrat e kandidatëve për të parin e kësaj partie.

Jemi duke u përgatitur për Kuvendin zgjedhor me 3 gusht. LDK ka bërë përgatitje finale. Do të vazhdojmë nesër dhe të enjten tutje që të punojmë në detaje dhe jemi të gatshëm që më 3 gusht të përmbyllet procesi i zgjedhjeve brenda LDK-së. Emrat do të bëhen të qartë të shtunën sipas rregullës së brendshme të LDK-së. I falënderoj të gjithë ata që rezervohen. Dëshiroj të jap mbështetje, sepse ata janë duke respektuar rregullën e brendshme të LDK-së dhe deri atëherë ne po punojmë që kjo të ndodhë në mënyrën më të mirë. LDK do të dalë unike, të jeni të sigurt! Do të dalë madhështore nga ky proces dhe ne në hapin e dytë do të dëshmojmë që në të dyja palë zgjedhje do të dalim fitues të mëdhenj”, theksoi Haziri.

I pyetur nëse kanë pranuar ftesë nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi për konsultime për zgjedhjet e parakohshme në vend, nënkryetari Haziri tha se nuk kanë marrë asnjë ftesë pasi që nuk kanë komunikim.