Haziri: PDK-ja nuk ka mundur ta shkatërrojë LDK-në

Haziri: PDK-ja nuk ka mundur ta shkatërrojë LDK-në

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka paralajmëruar Vetëvendosjen se duhet të ndërtohet një raport korrket mes të dyja subjeketve politike, në mënyrë që të zgjidhen problemet madhore të shtetit.

“Tash, nëse LVV hyn në bashkëqeverisje me qëllimin për ta ‘blu’ LDK’në, e ka shumë gabim. Raporti duhet të ndërtohet me mirëbesim dhe me korrektësi maksimale. Unë jam për një marrëveshje qeverisëse 4+, për t’i zgjidhur problemet e mëdha me Serbinë dhe problemet e brendshme me funksionimin e ligjit.”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Ai këtë porosi për VV-në e ka bërë pasi  paraprakisht ka shkruar se PDK viteve të kaluara ka tentuar që ta shkatërrojë LDK-në, por një gjë të tillë sipas tij nuk e ka arritur.

“PDK, në asnjërën prej tri fazave të saj, prej uniformave me armë, demobilizizimit me kravata e këmisha të kaltërta (teget), e deri në qeverisje, e sofistikuar dhe e organizuar mirë, nuk ka mund të shkatërrojë LDK, anipse këtë e ka pasë qëllim kryesor.”, ka shkruar Haziri.

Tutje ai ka thënë se kryeministrja apo kryeministri i ardhshëm duhet të jetë i të gjithë qytetarëve, po ashtu sipas tij linçimet dhe arroganca e çfarëdo natyre, nuk duhet me pasë vend në asnjë mënyrë!

Dy ditë më parë, kreu i VV-sëe, Albin Kurti ka folur pas takimit me kreun e LDK-së, Isa Mustafa dhe Vjosa Osmanin, ku ka bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje për të qeverisur me vendin, por vendimi do të ndodhë kur të certifikohen rezultatet finale nga KQZ-ja.

Kurse dje Lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe nënkryetarja Vjosa Osmani kanë thënë se takimet me VV-në do të vazhdojnë në nivel të ekipeve, por që liderët do të takohen pas certifikimit të zgjedhjeve./21Media