Nga termeti 18 të vdekur

Nga termeti 18 të vdekur

Në mesin e viktimave që humbën jetën nga tërmeti në Shqipëri gjenden edhe kosovarë nga Gjilani. Pas kësaj tragjedie, kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri ka shprehur ngushëllime për familjen e vëllëzërve kosovarë që humbën jetën në si pasojë e shembjes së një hoteli në Durrës.

Haziri ka thënë se Komuna e Gjilanit po e bashkëndien dhimbjen me familjen e tyre.

“Gjatë kërkimit në gërmadha pas tërmetit në Shqipëri, fatkeqësisht është konfirmuar se dy vëllezërit nga Gjilani kanë vdekur si pasojë e shembjes së një hoteli në Durrës. Lutem për shpirtin e tyre. Në këto momente, Komuna e Gjilanit e bashkëndien dhembjen me familjen e të viktimave, Shemsi e Isa Abazi dhe do t’iu qëndrojë pranë. Ngushëllimet më të sinqerta. Zoti ua lehtësoftë dhembjen”, ka shkruar Haziri në Facebook.

Për vdekjen e kosovarëve edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli ka shprehur ngushëllime familjes së viktimave.

“Shemsedin dhe Isa Abazi, dy vëllezër nga Gjilani janë dy nga viktimat e sotme. Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes Abazi. Ne ndajmë dhimbjen tuaj”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

Lajmin për vdekjen e vëllëzërve kosovarë pas tërmetit në Shqipëri për portalin Rtv21.tv e ka konfirmuar Ambasadori i Kosovës në Tiranë, Nait Hasani.

Deri më tani numri i viktimave nga tërmeti në Shqipëri, ka shkuar në 18, teksa raportohet për qindra të lënduar. /21Media