'Përplasen' Haziri e Haxhiu

‘Përplasen’ Haziri e Haxhiu

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri u shpreh i bindur se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK-së. I pari i Gjilanit në një postim në Facebook shkroi se asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme.

“Tashmë dihet që asnjë parti s’mund ta formojë qeverinë e vetme sepse sistemi zgjedhor në Kosovë nuk e mundëson këtë. Ky vend ka nevojë për qeverisje të mirë si për ajër. Por, ajo që është e qartë është se emri i kryeministrit kalon nëpër zyre të LDK’së!”, shkroi Haziri.

E i menjëhershëm ishte reagimi i kandidates për deputete nga VV-ja, Albulena Haxhiu, e cila u shpreh se emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor.

“Ajo që tashmë është e qartë…emri i kryeministrit është vendosur më 6 tetor”, shkroi ajo në Facebook.

Ndërsa i pari i LDK-së, Isa Mustafa në emisionin “Argument Plus” në RTV21 u shpreh se Vjosa Osmani akoma për LDK-në është kandidate për kryeministre.

Në këtë intervistë Mustafa po ashtu tha se nëse nuk arrihet koalicioni mes dy partive, LDK-ja shkon në opozitë./21Media