Heldt: Njerëzit janë të detyruar të emigrojnë për siguruar jetesën e tyre

Delegacioni rrjetit Bavarez është pritur në Ambasadën gjermane në Prishtinë

Unë jam i bindur se nuk duan të gjithë të emigrojnë në Gjermani, mirëpo njerëzit janë të detyruar të emigrojnë për siguruar jetesën e tyre.”, kështu ka theksuar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Një delegacion i rrjetit Bavarez “Besa Foundation” është pritur në Ambasadën gjermane në Prishtinë. Gjatë takimit, kryetari i shoqatës Anton Krasniqi dhe nënkryetari Ilir Seferi, u informuan për mundësitë e investimeve për kompanitë bavareze në Kosovë.

Siç njofton “Besa Foundation”, ambasadori Christian Heldt i informoi mysafirët për Parkun inovativ të Prizerenit dhe mundësitë optimale për investim afatgjatë. Ai theksoi se synimi i investimit në këtë park duhet të jetë në shërbim të formësimit dhe aftësimit profesional të të rinjve për tregun e punës. Po ashtu u njoftua se në këtë park do të ketë një investim të përbashkët të shtetit gjerman dhe atij kosovar, ndërsa ky park do të menagjohet nga gjermanët.

Çështja e emigrimit të të rinjve drejt Gjermanisë, ishte gjithashtu një temë që nuk u anashkalua.“Shteti gjerman ofron shumë, por edhe kërkon shumë nga të gjithë të rinjët që emigrojnë në Gjermani, prandaj zgjidhja ideale do të ishte sikur diaspora me ekspertizën e fituar tanimë në Gjermani, të transferojë këtë ‘Knoë Hoë‘ në Kosovë, duke punuar me standarde gjermane dhe respektuar fuqinë punëtore këtu në Kosovë. Vetëm ju diaspora mund t’i jetësoni dhe të kaloni në veprime me investimet e juaja në Kosovë”, tha ambasadori gjerman.

Ambasadori po ashtu u shpreh se transferi i dijes dhe kalimi në vepra, do t’i motivonte të rinjët që të qëndrojnë këtu dhe të ngriten profesionalisht, ashtu që të sigurojnë ekzistencën familjare.“Unë jam i bindur se nuk duan të gjithë të emigrojnë në Gjermani, mirëpo njerëzit janë të detyruar të emigrojnë për siguruar jetesën e tyre”, thotë ambasadori Heldt. Kurse Anton Krasniqi theksoi se diaspora duhet të jetë vendimmarrëse në politikë, nëse duan që Kosova të zhvillohet ekonomikisht.

Ndërsa nënkryetari Ilir Seferi shpjegoi formën e transferit të dijes dhe përvojës gjermane përmes sistemit të arsimit dual dhe krijimit të firmave “Franchising”.

Të dy palët ishin të mendimit se tanimë Kosovës i duhet një qeveri ndryshe nga qeveritë që e udhëhoqën vendin në 20 vitet e kaluara.

“Qeveria e ardhshme duhet të jetë stabile dhe të ndërtojë një strategji afatgjate për investitorët e huaj. Kontinuiteti politik për investitorët është sigurimi i një zhvillimi ekonomik i vendit. Integrimi e kosovarëve në Gjermani dhe marrëdhëniet e mira në mes dy popujve, do të jenë bazë e fortë për zhvillim ekonomik të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Delegacioni i “Besa Foundation” është pritur edhe në Odën Ekonomike Kosovaro-Gjermane, në Shoqatën Germin, po ashtu ka pasur takime edhe me disa parti politike.

Back to top button