Hiqet taksa në ‘Rrugën e Kombit’ për ofruesit e ndihmave

Në kohën e emergjencës nuk do të paguhet taksa

Derisa të kaloj koha emergjente pas tërmetit të djeshëm nuk do të paguhet taksa në rrugën e Kombit.Kështu ka njoftuar “Albanian Highway Concession”, kompania e cila bën grumbullimin e taksës në rrugën e cila lidhë Kosovën dhe Shqipërinë.

“Ju informojmë se shoqëria koncesionare e autostradës Milot – Morine (Rruga e Kombit), duke filluar që nga dita e djeshme datë 26.11.2019 ka lejuar kalimin pa pagesë të të gjithë makinave (individë, shoqata, institucione të Kosovës, Shqipërisë, etj), të cilët janë solidarizuar apo që kanë sjellë ndihma për të prekurit nga tërmeti. Këto grup personash do të lejohen të kalojnë pa pagesë deri në përfundim të situatës emergjente”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

“Albanian Highway Concession” bëri edhe një njoftim shtesë për të treguar se shpenzimin do të paguajë vetë.

Kompania shpjegoi edhe kur do të ndalet kjo fazë e kalimit pa tarifë e rrugës së Kombit.

“Që nga momenti i parë pas tërmetit mëngjesin e ditës së djeshme, shoqëria koncesionare e autostradës Milot – Morine (Rruga e Kombit) ka vendosur që të mbulojë vetë shpenzimin e tarifës për të gjitha mjetet që sjellin ndihma nga Kosova për popullin shqiptar. Duke pare disa reagime dashakeqe në media, duam të sqarojmë së kalimi për mjetet që sjellin ndihma do të vazhdojë të bëhet pa tarifë deri në momentin e mbarimit të emergjencës”, thuhet në një reagim të dytë.

Dje, Shqipëria u godit nga një termet i fuqishëm. Për pasojë, mbi 20 vdiqën, në mesin e tyre edhe dy kosovar.

Ndërkohë, shumë ndihma me ushqim, pije e veshmbathje po vazhdojnë të shkojnë drejtë Shqipërisë nga Kosova./kallxo

Back to top button