Kandidimi për deputet i Hisen Berishës nën logon e Partisë Demokratike të Kosovës befasoi jo pak skenën politike të Kosovës.

Kandidimi për deputet i Hisen Berishës nën logon e Partisë Demokratike të Kosovës befasoi jo pak skenën politike të Kosovës.

Edhe pse zyrtarisht në asnjë parti politike, Berisha për shkak të së kaluarës dhe bindjeve të tij ishte shumë i afërt me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

I specializuar në fushën e menaxhimit të mbrojtjes në kontekst me të gjerë të sigurisë në Akademinë e Mbrojtjes në Britani të Madhe, Berisha thotë se i hyri “luftës” së politikës i përgatitur dhe për të fituar, pasi fjala humbje nuk ekziston në fjalorin e tij.

Në intervistën “Kandidatët” të KP, Hisen Berisha nuk e fsheh faktin se ishte i gatshëm të bëhej pjesë e proceseve politike edhe me LDK-në, ashtu si nuk ngurron të kritikojë ashpër lidershipin aktual të kësaj partie.

Oficeri i këmbësorisë thotë se në LDK nuk ka demokraci dhe kjo është dëshmuar gjatë zgjedhjeve të brendshme që u mbajtën për kreun e partisë dhe strukturave të reja.

“Rugovizmi zbërthehet në trinomin liri, demokraci apo barazi dhe pavarësi. Na jemi dëshmitarë dhe nga burimet e brendshme të vet LDK-së rezulton këta nuk i lejuan të garojnë edhe pse i patën votat, as Vjosa Osmanin, as profesorin dhe presidentin Sejdiu. U shkel e drejta themelore për votë, për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur. Pastaj nëse flasim për demokracinë ju keni dëgjuar sa përplasjet e sa përdorimi qoftë mjeteve fizike, formave fizike, ndodhën nëpër degë e nëndegë gjatë procesit zgjedhor brenda partisë. Demokraci do të thotë zgjidhja e problemeve pa mjete dhune, d.m.th duke interpretuar me logjikën e normave ligjore statutare dhe të tjera dhe ky element për këtë periudhë zgjedhore ka dëshmuar se nuk qëndron më”, deklaroi Berisha.

Hisen Berisha shkon edhe më tej kur thotë se në LDK nuk ka vlera të rugovizmit. Ai madje akuzon Isa Mustafën se ia ka zënë frymën partisë që e drejton dhe kërkon nga ai që të largohet në mënyrë që Lidhja të kthehet si parti të cilin të gjithë e kanë dëshiruar të jetë.

Ai tha se në analizat që ka bërë prej kohësh e ka ditur që LDK nuk do të dalë fituese në këto zgjedhje, por ka qenë i gatshëm të bëhet pjesë e Lidhjes në mënyrë që të kontribuojë në atë që ai e quan shërimin e saj.

Berisha tha se ishte i gatshëm që të kërkonte zgjedhje te reja të brendshme menjëherë sapo LDK të kalonte në opozitë.

 

“E kam analizuar se s’do të jetë parti fituese kur i kam bërë këto analiza më herët, por kam qenë i gatshëm edhe në qoftë se nuk është parti fituese vetëm e vetëm që ta ndihmojmë të shërohet nga brenda. Dhe puna e parë që do të ishte edhe nëse do të ishim parti opozitare të shkojmë në zgjedhje te brendshme demokratike brenda partisë dhe të eliminohej politikisht, s’po flas unë kam respekt për titull shkencor që mban Isa Mustafa edhe secili, po politikisht të eliminohen, t’ia lëshojnë frymën LDK-së, të frymojë LDK-ja ashtu siç ka qenë dhe parti që e kanë dëshiruar të gjithë, të gjithë e ëndërrojnë edhe sot, edhe çdo ditë zhgënjehen për atë çfarë shohim”, vijoi Berisha.

Pavarësisht kritikave në drejtim të LDK-së, Hisen Berisha ka zgjedhur që rrugën e politikës ta vazhdojë me Partinë Demokratike të Kosovës për të cilin është i bindur se do të dalë fituese.

Ai tha se synon që të nxjerrin vendin nga trauma politike që e ka përfshirë vendin dhe të vijojnë punën e madhe për të integruar vendin në organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare.

Po ashtu, Berisha tha se diplomacia kosovare duhet të përgatitet që të ballafaqohet me diplomacinë serbe pasi do të ketë shumë sfida gjatë rrugës drejt anëtarësimit të vendit në mekanizmat evropianë.

“Ta nxjerrim Kosovën nga trauma politike që i kanë shkaktuar goditje diplomatike, që i ka dhënë Serbia dhe miqtë e partnerët që ajo i ka në botë. Ta nxjerrim nga kjo traumë dhe ta bëjmë duke e bërë Kosovën pjesë të mekanizmave të ndryshme, evropiane dhe duke e përgatitë Kosovën që të jetë e integruar edhe në Bashkimin Evropian edhe në NATO edhe në Kombet e Bashkuara. Spektri politik duhet të përgatitet ta sfidojë diplomacinë serbe, por tashmë mekanizma me unitetin politik rreh çështjeve të hapura që i ka Kosova duke filluar nga bisedimet që ato janë obligim i yni, kemi marrë zotime që t’i vazhdojmë me Serbinë vetëm e vetëm që ta përmbyllim procesin politik të Kosovës, por në këtë hapësirë deri të përmbyllja e procesit të shtet ndërtimit, ose të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur na presin edhe sfida të tjera”, tha ndër të tjera Berisha.

Kujtojmë se Hisen Berisha kandidon në listën për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës me numrin 41.