E lashtë, por kohës i qëndron e fortë

E lashtë, por kohës i qëndron e fortë

Përfaqëson histori që sot kujtohet, e lartësohet përmes kësaj fortifikate. Është kjo Tyrbja e Sulltan Muratit, e ngritur në fshatin Mazgit të Obiliqit, jo larg kryeqytetit. Ky objekt ruan detaje të ndodhive qindra vjeçare të vjetra.

Është objekti i parë osman në Kosovë. Por ngritja e tij lidhet ngushtë me një ngjarje të kohës.

E ndërtuar në shekullin XlV-të, Bajaziti, djali i Sulltan Muratit ia dhuroi këtë tyrbe në shenjë të babait të tij sulltan, që u vra në Betejën e Kosovës.

Në një hajat të vogël, tash e 600 vjet ekziston një varr, ku thuhet se mbahen organe të Sulltan Muratit, pasi trupi i tij është varrosur në Bursa të Turqisë.

E shumë të tjerë thonë se kjo tyrbe u ndërtua mbi shenjat e gjakut të Sulltan Muratit.

Muhamer Hasani, ciceron në Tyrbe tregon detaje.

“Në tyrben të cilën ndodhemi aktualisht,  ndodhen vetëm organet e brendshme, pse ka ndodhur kjo,  për një arsyeje shumë të thjeshtë. Sepse ka qenë e pamundur që në vitin 1839 një trup të vdekur,  ku i vetmi mjet transportues ka qenë kafsha,  në këtë rast kali, ka qenë e pamundur sepse udhëtimi deri në Brusa nuk ka zgjatur një ditë ose një orë, por nëse jo me muaj ka zgjatur me javë të tëra. Është dashur të nxirren organet e brendshme, është bërë një balsamim ”, tregon ai.

Ndonëse periudhë e gjatë, ky objekt u restaurua disa herë.

“Restaurohet disa herë për shembull në bazë të disa informatave restaurohet në shekullin e XVll me rastin e vizitës së Evlija Celebiut të udhëpërshkruesit të famshëm osman, pastaj restaurohet edhe në shekullin e XIX në periudhën e Sulltan  Abdzlmexhidit, është pjesa e dytë e XIX e thënë më saktësisht në vitin 1854, dhe pastaj restaurohet edhe një herë në fillim të shekullit XX me rastin e vizitës së Sulltan Reshatit që bëhet në Kosovë në vitin 1911, dhe së fundi bëhet në vitin 2005 prej ministrisë së Çështjeve Fetare të Turqisë. Duhet të ceket që prej vitit 1912  deri në vitin 1999. më saktësisht deri në vitin 2005. Tyrbja ka qenë pa një përkujdesje institucionale sa i përket restaurimit”, thotë ai.

Me vizitën e Evlija Celebiut, që në fakt në atë kohë edhe u bë restaurimi i parë i kësaj Tyrbeje, solli ndërtimin e mureve të para të jashtme të Tyrbes.

Ishin mbjellur edhe qindra fidanë, në mesin e tyre edhe dudi emblematik, 300-400 vjet i vjetër, që ndodhet para hajatit të tyrbes, i cili rezistoi që nga shekulli XVll-të, deri para 30 vitesh, ku në bazë të banorëve të këtij vendi., që nga ndërtimi i TermoElektranës, dudi nuk prodhoi më frute.

Në perimetrin e Tyrbes thuhet se ka varreza të tjera të rëndësishme të periudhës osmane. Të varrosur, thuhet të jenë komandanti i Silistres, Rifat Pasha dhe Prefekti i Vilajetit të Kosovës, Hafiz Mehmet Pasha.

Në oborrin ku ndodhet Tyrbja, është një shtëpi e vogël, në të cilën aktualisht jeton Sanija. E cila mision ka përkujdesjen për këtë tyrbe, nga edhe ka marrë mbiemrin Tyrbedari.

Sipas gojëdhënave, kjo tyrbe më parë  ka pasur një dimension tjetër. Gjatë Shën Gjergjit, ka qenë e mbipopulluar për shkak të besëtytnive. Ndërkaq, sot, kjo vizitohet  më shumë për interes historik.

“Vizitor ka më shumë në kohën e sezonit, nga koha e prillit deri nga shtatori. Shumica e vizitorëve tani janë prej Turqisë, ndërsa pjesa tjetër janë prej Evropës. Kemi shumë vizitorë prej Gjermanisë, prej Anglisë. viteve të fundit kemi edhe shumë vizitorë prej lindjes së largët, prej Japonisë, prej Malezizë edhe prej Kinës”, tregon ai.

E gjithë historia e kësaj tyrbeje tashmë ruhet e dokumentuar në një objekt tjetër, në po të njëjtin oborr. Është kjo bujtina e ndërtuar në vitin 1896, ku kalonin netët vizitorët, e që sot është shndërruar në muze.

“Edhe ndërtesa në të cilën gjendemi tash është objekt i vjetër. Është ndërtuar në vitin 1896, e cila fillimisht është ndërtuar si një bujtinë, prej kohës së Abdyl Hamitit të dytë dhe është ndërtuar me rastin e vizitës të një vizitori prej së largu. ka mundur të qëndrojë dy ose tri ditë. Pastaj në vitin 1912 fillon Lufta e Parë  Ballkanike, fillon tërheqja e Perandorisë Osmane, pastaj kjo prapë mbetet pa përkujdesje institucionale. Me çrast për një kohë familja e tyrbëdarve ka jetu në këtë ndërtesë. Pastaj në vitin 2005 nga agjensioni Tika shndërrohet në Muze, që e kemi rastin me pa tash”, vazhdon ai.

Brenda këtij objekti tetë-dhomësh, ndodhen fotografi të vitit 1911, me rastin e vizitës së Sulltan Reshatit në Kosovë, për të dëshmuar po ashtu rezistencën shekullore e të ndryshimeve të tyrbes.

Dhoma tjetër është ajo e pritjes me stil klasik. Ku ndodhet sofra me mangella e shilte. E edhe dhoma me epigrafet e hamamgjikun tipik të shekullit të XlX.

Në katin e dytë të muzeut janë të ekspozuar edhe bendi i mehteranëve, i njohur si bendi më i vjetër ushtarak në botë, në historinë e bendeve ushtarake.

Muzika e tyre ka shërbyer si një shifër sekrete dhe presion psikik ndaj kundërshtarëve.

Në kushte të mira atmosferike, muzika e tyre thuhet se është dëgjuar deri në 20 m largësi. E në dhomën e tetë janë ekzemplarët imitime, si topuzi e shpata.

Ky muze i vendosur brenda një oborri me freski të gjetheve të gjelbra të verës, e pamje të bukura, mund të vizitohet shtatë ditë të javës, dhe hyrja është pa pagesë.