Kurti takohet me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës

Kurti takohet me ambasadoren e Mbretërisë së Holandës

Lideri i VV-së, Albin Kurti, së bashku me anëtaren e Kryesisë, Arbërie Nagavci dhe Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, njëherit anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes, Agim Bahtiri, priti në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës, Gerrie Willems, e cila ishte e shoqëruar nga Zëvendës Shefi i Misionit, Peter van der Bloemen dhe Zyrtarja e Lartë për Sundimin e Ligjit në këtë ambasadë, Venera Ramaj.

Siç njofton VV-ja, Willems e uroi Kryetarin Kurti për procesin dhe rezultatin zgjedhor të deritanishëm dhe ndau shpresën që pas çertifikimit të rezultateve përfundimtare nga ana e KQZ-së institucionet shtetërore të formohen sa më parë. Ajo u interesua për prioritetet e qeverisë së re, duke thënë që Holanda është e gatshme të ofroj mbështetjen për Republikën e Kosovës në rrugën e integrimit Evropian.

Kryetari Kurti e njoftoi ambasdoren Willems se prioritet i qeverisë së re do të jetë luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë institucional, zhvillimi ekonomik që sjell vende pune, dhe politikat që zbusin pabarazinë. Kurti përmendi rëndësinë e përfshirjes së diasporës në zhvillimin ekonomik, dijen profesionale dhe kapitalin e tyre në formë investimi në vend, dhe theksoi nevojën e sistemit të arsimit profesional që do t’ua lehtësonte fushëveprimin bizneseve në vend.

Willems tha se këto prioritete përputhen në masë të madhe me ato të BE-së, Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe me Agjendën për Reforma Evropiane (ARE). Nga ana e saj u ndanë edhe shembujt ekzistues të bashkëpunimit në mes Kosovës dhe Holandës në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit, zhvillimin e bujqësisë dhe të biznesit, duke deklaruar se ka hapësirë për forcimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit.

Në fund të takimit, u shpreh gatishmëria për ta vazhduar komunikimin dhe bashkëpunimin për projekte konkrete në të ardhmen./21Media