Trevjetori i vdekjes së Astrit Deharit

Trevjetori i vdekjes së Astrit Deharit

Në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryesia e këtij subjekti politik, familjarë e miq të Deharit, kanë bërë homazhe tek varri i të ndjerit prej ku u kërkua që autorët që i morën jetën aktivistit të VV-së, të vihen para drejtësisë.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Astrit Dehari ishte aktivist i dalluar i cili ishte plotë vullnet e pozitivitet i vendosur në qëndrimin e tij dhe palëkundur në idealin që e kishte. Konjufca tha se sot Astrit Dehari po përkujtohet në dritën e një ekspertize të re nga Zvicra e cila tregoi se Astriti as nuk e humbi jetën aksidentalisht, as nuk u vetëvra, por prapa kësaj ngjarje fshihet një krim që dorasit e tij duhet të vihen para drejtësisë. Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje dhe populli shqiptar do e kujtojnë Astrit Deharin si simbol të drejtësisë dhe se asnjëherë nuk do ndalen derisa dorasit e këtij krimi të dalin para bankave të drejtësisë.

“Ky nderim që po ia bëjmë po mbahet në dritën e një ekspertize të re që ka ardhur nga Zvicra që tregon se Astrit Dehari përfundimisht nuk e humbi jetën as aksidentalisht, as vetvetiu, por që prapa kësaj ngjarje qëndron një krim, krim i cili duhet të zbulohet dhe dorasit që ngritën dorë kundër Astritit duhet të dalin para drejtësisë”, tha Konjufca.

Sipas tij Lëvizja Vetëvendosje dhe populli shqiptar do e kujtojnë Astrit Deharin si simbol të drejtësisë dhe se asnjëherë nuk do ndalen derisa dorasit e këtij krimi të dalin para institucioneve të drejtësisë.

“Jeta e një individi e merr statusin  e vet më sublim atëherë kur arrin të shndërrohet në një simbol të së mirës së përgjithshme e Astriti e ka arritur këtë status, është bërë faktikisht simbol për drejtësi, simbol i luftë së popullit tonë, i luftës së pandalshme të popullit tonë për drejtësi dhe për barazi. Astriti kishte aktivitet të gjatë në Lëvizjen Vetëvendosje u kthye bashkë me familjen e tij nga Zvicra për t’i kontribuar lirisë të kombit tonë dhe e gjeti vdekjen në burgun e Prizrenit pikërisht në këtë datë para tri viteve. Lëvizja Vetëvendosje, populli shqiptar, gjithmonë do e kujtojë e do e nderojë Astrit Deharin”, tha ai.

Ndërsa babai i të ndjerit, Avniu shprehu falënderimin e tij dhe të familjes Dehari për të gjithë ata që në këto kohë i kanë mbështetur.

“Në emër të Xhemiles, të Artës, Albanit, të Arsës , të Lumit dhe të Blinit nipave dhe mbesës së Astritit iu falënderoj përzemërsisht për mbështetjen që po na e bëni”, tha babi i të ndjerit.

Kurse, babi i të ndjerit Astrit Dehari, Avniu falënderoi të gjithë në emër të familjarëve për mbështetjen që po i ofrojnë familjes së tij në këto ditë.

Në trevjetorin e vdekjes së Astrit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një sërë aktivitetesh. Duke filluar nga ora 12:00 do mbahet marshi me moton “Një popull për drejtësi”, pastaj në selinë qendrore të Vetëvendosjes do të dhurohet gjak. Ndërsa në qytetin e Prizrenit do ndizen qirinj për të përkujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili u gjet i vdekur në qelinë ku po mbahej.