ZGJEDHJET LOKALE 2013

KAQUSHAPSD: Kërkojmë kthesë zhvillimore
Prishtinë, 05 tetor 2013
Partia Socialdemokrate e Kosovës, në hapje të fushatës zgjedhore, sot ka prezantuar kandidaten e vetme fermer për kryetare të Prishtinës, Kaqusha Jashari.
Ajo ka thënë se si socialdemokrat po ofrojmë një alternativë më ndryshe nga që kanë partitë e tjera. Sipas saj, alternativa qeverisëse e PSD-së, ka për qëllim që ta shndërroj kryeqytetin në një ambient më të mirë jetësor, shërbime efikase dhe cilësore dhe zhvillim ekonomik sidomos në zonat rurale.
Ajo ka premtuar se do të kenë partneritet me qytetarin për të zgjedhur bashkë problemet si ekonomike, politike dhe sociale. Gjithashtu, ajo ka thënë se nëse qytetarët ia besojnë votën do ta aprovojnë edhe ligjin për Prishtinën i cili, sipas saj, pa arsye, është vonuar me vite.
Edhe kryetarja e PDS-së, Majlinda Nushi, ka theksuar se partia e saj do ta luftoj çdo lloj diskriminimi dhe do të jetë në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Ndryshe, gjatë hapjes së fushatës zgjedhore, PSD, ka prezantuar edhe kandidatët për Asamblen komunale të Prishtinës.

Mustafa: Investuam 6 milion në gjelbërim
isa1Prishtinë, 5 tetor 2013
Kryetari i Komunës së Prishtinë dhe njëherë kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka vazhduar fushatën zgjedhorë në kryeqytet. Ai të shtunën bashkë më bashkëpunëtorë të tij ka vizituar parku e gjelbër në Dardani me ç`rast ka mbjell edhe disa lule në këtë park.
Mustafa, gjatë këtij tubimi, ka folur vetëm për hapësirat gjelbëruese që ka bërë ai dhe komunën e Prishtinës në këtë mandat katër vjeçar.
Ai ka thënë se i ka dhënë rëndësi mjaft të madhe hapësirave të gjelbërta në qytet, pasi ka investuar në parqet e mëdha të qytetit, si në; Togbahçe, Arbëri, Gërmi, investime këto që kapin vlerën e 1 milion e 200 mijë eurove.
Mustafa banorëve të Prishtinës u ka sqaruar se zyrtarët komunal në parkun e Togbahces janë duke punuar dhe vlera e investuar për rregullimi ne këtij parku llogaritet të jetë mbi 450 mijë euro.
Kryetari i Prishtinës ka kujtuar se edhe në parkun e Arbërisë kanë investuar bashkë më Komision Evropian dhe se projekti tashmë ka përfunduar.
Sipas tij, është rigjeneruar gjelbërimi, janë vënë edhe pajisjet e ndryshme sportive për të rinj, fëmijë dhe mosha të ndryshme.
Mustafa ka treguar se në parkun e Gërmisë janë investuar mbi 550 mijë euro prej të cilave 2/3 janë dhënë donacion nga Komisioni Evropian ndërsa që shuma tjetër është e komunës së Prishtinës.
Në këtë park, sipas kandidatit të LDK-së, edhe për një mandat katër vjeçar, do të rregullohen stazat, ndriçimi, ulëset dhe rregullimi i ambientit.
Ai ka pohuar se për mirëmbajtën e këtyre parqeve, e sidomos ujitjen e tyre në Prishtinë, kanë hapur afër tetëmbëdhjetë puseta.
Kryetari i Prishtinës, ka treguar se vetëm kompania ‘Holtikultura’ gjatë këtyre viteve ka mbjell edhe 4200 drunj të rinj dhe rreth 150 mijë lule.
Ai ka lutur qytetarët e lagjeve të ndryshme që të mirëmbajnë dhe të jenë sa më kujdesshëm me parqet dhe hapësirat publike.

PDK, kuptim evropian Prishtinës
cekuPrishtinë, 5 tetor 2013
Partia Demokratike e Kosovës ka hapur fushatën për zgjedhjet lokale në Prishtinë, me moton ”PDK për Prishtinën Europiane”, me kandidatin për kryetar Agim Çekun dhe kandidatët për ansamble komunale.
Lideri i kësaj partie, Hashim Thaçi, është shprehur se këto zgjedhje po hapin perspektivë evropiane të Kosovës. Ai ka thënë se me PDK-në do t’i jepet kuptim evropian Prishtinës.
“Ky është program i kryeqytetit, është program i qytetarëve të Prishtinës është vizioni i kryetarit, Agim Çeku”, është shprehur kryeministri Thaçi.
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Agim Ceku, u ka thënë prishtinasve se po fryn era e ndryshimit, duke aluduar në numrin 99 si numër të fatit të Kosovës, të PDK-së, dhe të Prishtinës. Ai për më shumë se 10 minuta ka premtuar për shërbime efikase, ndryshime infrastrukturore, zhvillim ekonomik, duke e përmbledhur programin me fjalët shërbim, zhvillim, promovim.
“Skuadër që i ka të gjitha potencialet dhe vlerat që garantojnë fitore më 3 nëntor, skuadër më të mirë të mundshme që mund ta ketë Prishtinë, skuadër që do ta bartë barrën e qeverisjes dhe ndryshimeve që i duhen Prishtinës në katër vitet e ardhshme”, ka thënë Çeku.
Kryetari e degës së PDK-së për Prishtinën, Lirak Çelaj është shprehur se qeverisa aktuale e ka degraduar kryeqytetin dhe se Isa Mustafa, sipas tij, nga ambicia për kryeministër ka harruar qytetarin.
Ndërkohë që nënkryetari i kësaj partie, Hajredin Kuçi, ka thënë se Prishtina me PDK-në duhet të kaloj nga rutina në zhvillim.
Para fillimit të tubimit, elektoratin e PDK-së e ka argëtuar këngëtarja, Kaltrina Selimi. Në këtë tubim ishin të pranishëm qindra qytetarë mbështetës të kësaj partie.


Gjilani dhe Anamorava do të qeverisen nga AAK-ja

aakGjilan, 05 tetor
Në tubimin zgjedhor të koalicionit AAK- LDD në Gjilan u tha se vetëm ky koalicion mund ta shpëtojë Gjilanin nga falimentimi. Ramush Haradinaj, Rexhep Kadriu, Ahmet Isufi e Nexhat Daci thanë se Anamorava do të jetë e AAK-së. Rexhep Kadriu kandidat për kryetar të Gjilanit tha se Hashim Thaçi s`ka çka lyp kësaj radhe në Gjilan sepse ai së bashku me Qemajl Mustafën e ka stagnuar Gjilanin në të gjitha fushat. Koalicioni AAK-LDD në Gjilan të shtunën e ka hapur fushatën zgjedhore në teatrin e qytetit para shumë simpatizantëve e aktivistëve. Ky tubim është përkrahur edhe nga Ramush Haradinaj e Nexhat Daci, raporton rajonipress.
Kandidati për kryetar të Gjilanit Rexhep Kadriu tha se ai dhe subjekti i tij ka ofruar program praktikë për qytetarët e Gjilanit.”Kjo qeveri lokale ka ruajtur me ndjenjat e qytetarëve të Gjilanit dhe ka bërë eksperimente me ta. Kjo qeveri dhe ky pushtet lokal ka bërë që Gjilani të sillet si mysafirë në shtëpinë e vet. Gjilani me Qemajl Mustafën ka stagnuar sepse janë sjellur biznese jashtë Gjilanit e bizneset tona i ka falimentuar” tha Kadriu.
Kurse lideri i AAK-së Ramush Haradinaj tha se në Gjilan gjendja është e keqe dhe i ka ardhë dita ndryshimit të madh.”Ne duhet të jemi të fort në Gjilan për të pasur mundësi që ta ndihmojmë Luginën. E kemi obligim shtetëror që ta ndihmojmë dhe zhvillojmë Anamoravën dhe Gjilanin. Kosova nëse dëshiron të jetë afër Kosovës Lindore atëherë duhet ta zhvillojë ekonomikisht Anamoravën dhe në këtë rrafsh çelësi sërish mbetet tek qeverisja” tha Haradinaj.
Haradinaj tha se s`ka më të vlefshme sot për Gjilanin sesa qeverisja sepse vetëm qeverisja e mirë mund ta ndryshojë Gjilanin dhe dita e fitores e kërkon edhe njeriun e fitores e ai është Rexhep Kadriu. Kandidati ynë i ka vlerat e i ka cilësitë dhe mbi të gjitha e ka konceptin e shëndoshë për ta avancuar e ndërtuar Gjilanin” tha Haradinaj.
Nexhat Daci ndërkaq tha se dikur Gjilani ishte lokomotivë e shumë proceseve në Kosovë.”Tani Gjilani dhe Anamorava kanë mbetur zorrë qore, por këtë stagnim do ta nxjerrë nga kriza Rexhep Kadriu si kryetar i ardhshëm i Gjilanit dhe Ramush Haradinaj si kryeministër i ardhshëm.
Ahmet Isufi nënkryetar i AAK-së tha se qytetarët e Gjilanit duhet të votojnë për njerëz të ndershëm e të përkushtuar dhe s`kanë asnjë arsye të votojnë për njerëz që kanë dosje në gjykata e prokurori./rajonipress/

“VV po mobilizohet për ta mbrojtur votën “
dardan sejdiuPrishtinë, 5 tetor 2013
Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë është duke u mobilizuar për ta mbrojtur votën në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Dardan Sejdiu i cili do të udhëheq me shtabin zgjedhor të VV-së në Prishtinë ka thënë se ata tanimë kanë dërguar emrat e 250 komisionarëve dhe 500 vëzhguesve të cilët do të jenë drejtpërdrejt në mbrojtjen e votës në zgjedhjet lokale.
Sejdiu, i cili është edhe kandidat për Asamblenë komunale, ka thënë se kanë pasur më shumë interesim për të qenë pjesë e ekipit të tyre për të mbrojtur votën e qytetarëve sesa që realisht kanë pasur mundësi të dërgojnë në KQZ. Ai gjatë një konferencë për media ka thënë se janë paraqitur edhe 300 vullnetarë që po punojnë dita ditës në mbrojtje të votës më 3 nëntor.
Ai ka folur edhe për fushatën që ka filluar nga 3 tetori, duke thënë se VV-ja është e vendosur në sigurimin e një procesi fer, demokratik dhe të lirë pa marr parasysh për kënd voton qytetari. Ai ka thënë se kjo është një fushatë luksi, e jo një fushatë që merret me problemet dhe hallet e qytetarëve, duke marr parasysh premtimet e partive tjera për investime milionëshe./kp/

PD synon një Suharekë të zhvilluar dhe pa korrupsion
PDSuharekë, 05 tetor 2013
Partia e Drejtësisë, dega në Suharekë, ka hapur fushatën elektorale, në të cilën u prezantua kandidati për kryetar i kësaj komune, si dhe asambleistët komunal. Kryetari i PD-së dhe njëherësh ministër i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka pohuar se partia që ai drejton në këto zgjedhje synim të vetmin e ka që t’i ofrojë qytetarëve të vendit kandidatë të ndershëm, profesionalë dhe të zotë, të cilët synim të vetmin e kanë përmirësimin e jetës së qytetarëve të Suharekës me rrethinë.
Agani para qytetarëve të Suharekës, i dha mbështetje të fuqishme kandidatit Bajram Tërshani, duke e cilësuar atë si njeriun e denj për të udhëhequr me këtë komunë, pas 3 nëntorit. I pari i PD-së, ka potencuar se që nga themelimi PD-ja ka dhënë një kontribut të pamohueshëm, duke ofruar kuadro profesionale, të ndershme dhe të përgjegjshëm në punën e tyre.
Kandidati për kryetar të Suharekës, Bajram Tërshani, ka shpalosur programin e kësaj partie për me të cilin do të garojë për të parin e komunës.Në këtë tubim elektoral, me një fjalë rasti qindra të pranishmëve, iu drejtuan edhe dy deputetët nga PD-ja në Kuvendin e Kosovës, Jeton Svirca dhe Gëzim Kelmendi.

Komentoni artikullin