“Nuk ka pengesa për unifikimin e tregut shqiptar”

Tri klubet e prodhuesve shqiptare, të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë janë mbledhur sot në Tiranë

Në një konferencë për media të mbajtur në Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, zyrtarë të këtyre asociacioneve kanë deklaruar se nuk janë për pengimin e unifikimit të tregut shqiptar, por se përkundrazi kërkojnë që të hiqen të gjitha barrierat kufitare nëpër kufij.

Kryetari i Klubit të Prodhuesve Mbarëkombëtar, Nagip Fejzi dhe përfaqësues i prodhuesve nga Maqedonia ka thënë se sot po e sqarojnë një deklaratë që është bërë ditë më parë.

Ai ka mohuar deklarimet e qeverisë shqiptare, se prodhuesit po pengojnë marrëveshjet ndërqeveritare, duke thënë se janë për të bërë bashkëpunim e jo për pengesa.

“Mbas asaj deklarate ne e pamë të arsyeshme të takohemi këtu në Tiranë dhe të jemi të gjithë së bashku të tregojmë se ne si prodhues jemi të sigurt se nuk janë ato deklarata me qëllim, por me siguri se janë deklarata të cilat kanë pasur ndoshta ndonjë nguti nga ana e dikujt. Dhe jemi këtu për të treguar atyre afaristë ose atyre biznesmenë të cilët flitet se pengojnë nënshkrimet e marrëveshjeve mes dy qeverive shqiptare. Shpresojmë që gjithçka që është thënë nuk është vërtet, sepse po të ketë diçka të vërtetë, ne jemi të gatshëm këtu ti presim dhe ta diskutojmë”, ka thënë Fejzi.

Kurse, Kryetar i Klubit të Prodhuesve, Astrit Shabani ka thënë se ashtu sikur muzika dhe kultura edhe ekonomia të jetë një treg i lirë dhe i hapur. Sipas tij, kërkesat e tyre janë që të hiqen të gjitha pengesat apo barrierat për ekonominë e Kosovës. Shabani ka kërkuar që të mos keqinformohen qytetarët në këtë drejtim.

Ai ka thënë se kanë një marrëdhënie të shkëlqyer ndërmjet tri asociacioneve shqiptare të cilat fokus kryesor kanë heqjen e çdo barriere që prodhuesit shqiptarë i pengon të qarkullojnë lirshëm.

“Sa i përket rastit në fjalë ne jemi ardh këtu të dëshmojmë se nuk e kemi asnjë pengesë. Është kërkesë e prodhuesve që sa më shpejt qeveritë tona të unifikojnë gjithçka çka munden me u unifikuar dhe sa më shpejt ky treg të jetë i lirë I hapur. Unë shpesh e përdori një fjali që shfrytëzoj rastin të përdori edhe sot që një prodhues nga Tirana të shet në Prishtinë sikur në Vlorë, por edhe ai nga Podujeva të shet në Fier dhe Dibër dhe të mos ketë as një pengesë. Pra, kërkesë e jona e vetme është që të hiqen të gjitha pengesat që një prodhues nga do qoftë I ka sot”, ka thënë Shabani.

Përfaqësues të prodhuesve nga Shqipëria pohuan se janë për një treg ballkanik, por me një kusht që të ketë unifikim të tregut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetari i Shoqatës së Prodhuesve nga Shqipëria, Bardhyl Baltëza tha se kanë propozuar për të bërë unifikimin e ekonomisë shqiptare. Ai shtoi se në mesin e tyre nuk ka të tillë që pengojnë frymën e bashkëpunimit.

“Jemi këtu për të thënë që ne si union I prodhuesve shqiptar nga të dyja anët e kufirit, ku kemi propozuar prej kohësh qeverive shqiptare për të bërë unifikimin e ekonomisë shqiptare dhe sinqerisht nuk shohim asnjë pengesë midis nesh. Nuk ka mes nesh njerëz që janë kundër këtij bashkimi ekonomik dhe un besoj që në frymën e Berlinit dhe komunitetit evropian, të gjitha ekonomitë mund të bashkohen dhe nuk kemi ndonjë pengesë dhe ta dini që ne jemi promotorët e qeverive tona për të shtyrë përpara këtë proces”, ka thënë Baltëza.

Ndërsa, Nagip Fejzi ka thënë ndër të tjera se Maqedonia nuk ka ndonjë pengesë të madhe, por ka pengesë Shqipëria për shkak të disa proceduarve të cilat ende nuk janë të definuara siç duhet.
Përfaqësues të prodhuesve nga Shqipëria pohuan se janë për një treg ballkanik, por me një kusht që të ketë unifikim të tregut ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Back to top button