Njerëzit me aftësi të kufizuara, më të diskriminuarit

Prishtinë, 17 tetor 2011 (17:25)
Problemet e njerëzve me aftësi të kufizuara janë ende sfidë e madhe për institucionet e Republikës së Kosovës, e cila synon ta krijojë një shoqëri të hapur e gjithëpërfshirëse dhe me të drejta të barabarta për të gjithë.
Kështu u tha të hënën me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare për Mundësi Profesionale për Personat me Aftësi të Kufizuara, e cila u organizua nga Zyra për Qeverisje të Mirë e Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me OSBE-në dhe UNDP-në.
Edhe pse Kosova e ka ligjin që u garanton liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë personat në Kosovë, duke përfshirë edhe njerëzit me aftësi të kufizuara, kryetari i organizatës Handikos, Afrim Maliqi thotë se kjo kategori e shoqërisë ndihet e diskriminuar në çdo aspekt të jetës, si me moszbatimin e ligjit ashtu edhe me paragjykimet e njerëzve.
Duke u vënë në përkrahje të kësaj kategorie, zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi tha për këta njerëz se duhet pasur më shumë kujdes, në mënyrë që edhe këta të ndihen se janë pjesë e këtij shteti, duke u krijuar kushte për punësim sikur të gjithë të tjerët.
Bukoshi shtoi se Qeveria e Kosovës në politikat e saj sociale ka si synim përmirësimin e kushteve për këta persona, duke u mundësuar atyre qasje në të gjitha poret e shoqërisë kosovare, duke u mundësuar që në disa institucione të mos kenë nevojë pagese, në mënyrë që edhe kjo kategori njerëzish të konsiderohet si pjesë integrale e shoqërisë kosovare.
Edhe pse institucionet e Republikës së Kosovës po mundohen të krijojnë mundësi për këta njerëz, përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së, Osnat Lubrani thotë se raporti i fundit nga UNDP-ja e nxjerr këtë kategori si më të diskriminuarën në shoqërinë kosovare, e sidomos për ata që jetojnë në vendet rurale.
Sipas saj, duhet të mirëpriten hapat të cilët janë marrë në drejtim të përmirësimit të kushteve për këto kategori, të cilat ndikojnë në krijimin e ligjeve sa më të mira dhe të dobishme për njerëzit me aftësi të kufizuara, si pjesë e shoqërisë kosovare.
Ndërkaq ambasadori italian në Kosovë, Michael Giffoni, duke u shprehur i gatshëm të kontribuojë çdo herë kur ka nevojë për këta persona.
Ai tha se misioni i tij nuk është vetëm puna për të cilën edhe është i ngarkuar nga misioni i shtetit të tij, por dëshiron që të kontribuojë edhe në aspektet e tjera, siç është në këtë rast aspekti social në ndihmë të njerëzve me aftësi të kufizuara.
Ndryshe, kjo kategori ka kohë që ankohet lidhur me mostrajtimin si duhet nga institucionet vendëse, duke mos krijuar as kushtet minimale për qarkullimin e tyre, për shkollimin e tyre dhe po ashtu edhe për punësimin e tyre. Edhe pse me ligj këta persona kanë përparësi gjatë punësimit, kjo nuk po zbatohet thotë drejtuesit e HandiKos-it. Në Kosovë jetojnë mbi 150 mijë njerëz me aftësi të kufizuara të të gjitha llojeve./kosovapress-foto:arkiv/

Komentoni artikullin