Prishtinë:Vazhdoi gjykimi i rastit “Bllaca”

Prishtinë, 12 prill 2011 (16.00)

Seanca gjyqësore ndaj Fahredin Gashit – Faruku dhe Hysri Ramës, i njohur si rasti “Bllaca”, ka vazhduar të martën me paraqitjen e dëshmisë së Nazim Bllacës, i cili nga gjykata gëzon epitetin e dëshmitarit bashkëpunues të prokurorisë.

Në ditën e dytë të marrjes në pyetje nga prokurori Mauricio Salustro, Bllaca ka folur për raportet e tij me të akuzuarin Fahredin Gashi. Ai ka thënë se brenda tetë vjetëve sa kishin pasur raporte të mira me të akuzuarin Gashi, kishin filluar edhe një biznes, i cili kishte të bënte me shitblerjen e pronave, porse më vonë këtë bashkëpunim e përshkroi si shkaktar kryesor të përkeqësimit të marrëdhënieve në mes tyre.

Bllaca ka përmendur edhe takimin e tij me Azem Sylën, në të cilin sipas Bllacës ia kishte paraqitur edhe skicën e vrasjeve dhe tentimvrasjeve, si shantazh për përfitim parash.

“Skica jonë ka qenë vrasja e Varigovcit, e Kraishtes, vrasja e Ibush Kllokoqit, atentati ndaj Adem Salihajt, Ismet Arifit, vrasja e Selim Broshes, atentati ndaj Agim Veliut e Ejup Visokës, që të dy zyrtarë të LDK-së, dhe Ajet Istogut dhe përgatitja për atentat e Ali Sadrisë”, ka thënë Bllaca.

Për më tepër, Bllaca ka theksuar se me Azem Sylën kishin arritur një marrëveshje për fshehjen e të vërtetës.

Ndërsa, avokati mbrojtës i Gashit, Kolë Krasniqi, ka bërë vërejtje në mënyrën se si prokurori Mauricio Salustro ia parashtronte pyetjet Bllacës, duke thënë se një gjë e tillë nuk tolerohet në një shtet juridik.

Sipas Krasniqit, edhe pse prokurori vazhdimisht përpiqej të ndikonte në kujtesën e dëshmitarit, deklaratat e Bllacës ishin krejtësisht kundërthënëse.

Duke iu referuar konfliktit pronësor në mes të Bllacës dhe Gashit, avokati Krasniqi theksoi se qëllimi i prokurorit ishte që dëshira e Bllacës për të përfituar shuma të mëdha parash të mos paraqitet në natyrën e vërtetë.

Fahredin Gashi – Faruku dhe Hysri Rama akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës, pas një dëshmie të dhënë nga Nazim Bllaca, për vrasjen e Sali Gashit. Seanca gjyqësore e rastit “Bllaca” do të vazhdojë të mërkurën dhe të enjten, në Gjykatën Supreme të Kosovës./kp/

Komentoni artikullin