Sëmundjet e barkut – disa këshilla

Gastriti është inflamacioni i mukozës së stomakut, pra i shtresës që mbulon stomakun nga brenda dhe kontakton me ushqimet. Është një sëmundje që shihet shpesh sidomos tek të moshuarit.Më shpesh vihet re në formën kronike.
Në krahasim me ulcerën ka një dëmtim më sipërfaqësor, por edhe mund të depërtojë më thellë në shtresat e qelizave të stomakut. Më së shumti formohet prej një infeksioni bakterial dhe kjo bën që me një kurë të mirë antibiotikësh të kurohet. Megjithëse shihet shpesh në të shumtën e rasteve kalon një kohë të gjatë pa dhënë shenja.

Shkaktarët

Shkaku më kryesor është një infeksion kronik i shkaktuar nga bakteri Helikobakter Pylori. Është një baterie shumë e përhapur në të gjithë botën. Së dyti mënyra dhe lloji i ngrënies ndikojnë në formimin e gastritit. Ushqimi i keq dhe alkooli dëmtojnë mukozën e stomakut. Gjithashtu përdorimi i duhanit rrit aciditetin e stomakut duke stimuluar nervin e stomakut. Stresi është një faktor tjetër për gastritin. Pra çdo gjë që bëhet shkak për rritjen e aciditetit të stomakut mund të shkaktojë edhe gastrit. Ka edhe disa ilaçe që mund të shkaktojnë gastrit mes tyre aspirina apo ilaçet qetësuese që përdoren kundër dhimbjeve të ndryshme apo në sëmundjet reumatizmale. Gjithashtu edhe gjatë sëmundjeve të ndryshme si insufiçenca e veshkave apo e mëlçisë mund të formohet gastrit.

Simptomat
Gastriti ndahet në akut dhe kronik. Gastriti kronik zakonisht ose nuk jep shenja ose shenjat e tij janë sipërfaqësore. Inflamacioni në stomak ka zgjatur për një kohë të gjatë. Mund të japi të vjella, dhimbje në pjesën e sipërme të barkut, nauze (përzierje të stomakut), gogësimë, pakësim të oreksit dhe fryrje të stomakut. Gastriti akut shkakton djegie në stomak dhe dhimbje. Kur i sëmuri është i pangrënë dhimbjet rriten. Përzierje të stomakut dhe të vjellat edhe këtu shfaqen. Ilaçet për të cilat folëm më lart apo alkooli mund të shkaktojnë plagë në stomak dhe kjo bën që të ketë hemorragji. Gjaku i përzier me aciditetin e stomakut mund të shfaqet me ngjyrë të errët gjatë të vjellës.

Diagnostikimi
Duhet të shkoni tek një gastroenterolog. Edhe vetëm fjalët dhe ankesa e të sëmurit bile mund të mjaftojnë për diagnostikim. Sidomos tek të rinjtë me anë të ilaçeve mundohet të ulet aciditeti i stomakut. Tek ata më të rriturit (> 40 vjeç, por herë pas here edhe tek të rinjtë) duhet bërë diagnostikimi me anë të endoskopisë (sondës). Nëse nevojitet duhet marrë edhe kampion prej mukozës së pacientit. Sonda është e lehtë për t’u kryer dhe pacienti nuk ndjen dhimbje.

Kurimi
Së pari duhet të themi se gastriti duhet kuruar patjetër. Nëse ndër shkaktarët e tij nuk është infeksioni bakterial ilaçet për uljen e aciditetit apo për mos formimin e tij do të mjaftojnë. Këto ilaçe shoqërohen me dietë. Nëse pi cigare apo alkool duhet t’i lerë. Nuk duhet të përdorë aspirinë apo ilaçe qetësuese pa pyetur doktorin. Paracetamoli nuk bën dëm. Nëse shkaktari është bakteri Helikobakter Pylori atëherë kura me antibiotikë është i domosdoshëm.

Disa këshilla për sëmundjet e stomakut
- Mjekët janë të mendimit se është më mirë të hahet nga pak dhe shpesh.

- Mos hani para gjumit pasi vazhdimi i punës edhe natën e lodh stomakun.

- Hani minimumi 3-4 orë para gjumit.

- Hani me kafshata të vogla për tu përtypur dhe tretur më mirë.

- Mos hani në këmbë apo shpejt.

- Mos hani ushqime shumë të nxehta apo shumë të ftohta.

- Mos u shtrini menjëherë pas ushqimit.

- Mos bëni ushtrime gjimnastikore pas ushqimit.

- Ushqimet me kafeinë (kafeja, kola, çaji) nuk ju bëjnë mirë.

- Ushqimet apo pijet me aciditet (p.sh lëng portokalli) hollojini me ujë.

- Mos përdorni alkool apo cigare.

- Mos përdorni të skuqurat.

- Mos përdorni shumë qepën.

Komentoni artikullin